Analisti Lulzim Peci tha se Vetëvendosja po përpiqet t’i naturalizojë thirrjet kushtetuese në vend. Sipas tij, kjo paraqet rrezik sepse mund të shpie deri në kalimin në një kushtetutë të re.
“Do të thotë t’i naturalizojë kur është çështje më e madhe; do të thotë lejohet edhe thyerja e Kushtetutës e të tjera. Kjo është një tendencë shumë e rrezikshme e krijimit të një anarkie, sepse si del prej rendit kushtetues t’i hyn në domenin e anarkisë, dhe vendosja e politikës mbi Kushtetutën — çfarë po tenton ta bëjë Vetëvendosje për qëllime elektorale. Unë mendoj që pikërisht kjo tendencë e VV duhet të ndëshkohet nga elektorati, sepse ne nuk po e kuptojmë që kjo tendencë është kalkulim politik; po është kalkulim politik i rrezikshëm që neve na përplaset për fytyrë çdo ditë dhe mundet me na dërguar në kolaps të shtetit. Unë mendoj që dëshira më e madhe deri tash është që Kosova të kolapsojë duke fajësuar të tjerët pa e marrë përgjegjësinë për veten. Ky është rreziku më i madh”, tha ai, duke shtuar se situata e kolapsit është e volitshme për të kaluar në një situatë totalisht jo kushtetuese.
“Do të thotë, kalojmë në një domen të paparashikueshëm kushtetues dhe një situatë e tillë është situata më e volitshme e anarkisë, e volitshme për të kaluar në një sistem revolucionar, apo ajo që quhet grusht-kushtetues; unë mendoj që qëllimi i fundit është kjo”, tha ai, në emisionin “Click” në RTV21.
Më tej, Peci u shpreh se kur të kalojë gjithçka, shtrohet kërkesa për një kushtetutë të re.
“Dhe kjo do të jetë Republikë e re siç parashihet; faza anarkike është qëllim dhe recetë për të mbërritur në këtë pikë, nëse mbërrijmë në këtë pikë.”



 
															






