PE: Marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë të bazohet në njohjen reciproke

Parlamenti Evropian për herë të parë ka thënë se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të “bazohet në njohjen reciproke”.

Ky vlerësim u prezantua gjatë votimit për amendamentin në raportin përfundimtar për Serbinë në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit (AFET).

Për këtë raport votuan 50 anëtarë të AFET-it, pesë ishin kundër dhe tre abstenuan.

Krahas marrëdhënieve me Kosovën dhe sundimit të ligjit në vend, raporti i votuar përfshin edhe harmonizimin me politikat e sanksioneve kundër Rusisë, si përcaktues i progresit të përgjithshëm të Serbisë në procesin e anëtarësimit në BE.

Autoriteteve në Beograd u kërkohet të “tregojnë përkushtim të vërtetë ndaj vlerave të BE-së dhe të harmonizohen me vendimet dhe pozicionet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë, duke përfshirë sanksionet kundër Rusisë”.

Vladimir Bilçik, raportuesi i përhershëm për Serbinë në PE dhe autori i tekstit, tha pas votimit se dëshira e tij është që pas zgjedhjeve të prillit dhe luftës së agresionit rus, partnerët në Serbi të kuptojnë se sa urgjente është të shkohet para në rrugën e tyre evropiane.

“Mund të bëhet më shumë për të ecur me vendosmëri drejt BE-së dhe si raportues i PE-së jam i gatshëm të punoj së bashku me lidershipin e ri në Beograd për të ndihmuar në arritjen e ndryshimeve pozitive për Serbinë evropiane”, tha Bilçik.

Autoriteteve serbe u kërkohet, gjithashtu, të veprojnë kundër glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe të ndalojnë çdo retorikë dhe veprim që cenon integritetin e vendeve fqinje dhe rrezikon stabilitetin dhe pajtimin rajonal.

Ai është ankuar për presionin e vazhdueshëm ndaj gjyqësorit dhe mohimin publik të gjykimeve ndërkombëtare të krimeve të luftës.

Ai i bëri thirrje shumicës së sapozgjedhur që të forcojë garancitë për pavarësinë dhe efikasitetin e Gjyqësorit si çështje me prioritet.

Raporti i votuar do të shfaqet në seancën plenare të PE-së në korrik, kur ky version i tekstit do të marrë formën e një rezolute të Parlamentit Evropian./Rel

Related Posts