PDK zgjedh Memli Krasniqin si shef të Shtabit Zgjedhor, Arian Tahiri merr drejtimin e Degës në Mitrovicë si ushtrues detyre

Partia Demokratike e Kosovës ka formuar sot Shtabin Zgjedhor për zgjedhjet e 28 dhjetorit të cilin do ta drejtojë Memli Krasniqi.

Në mbledhjen e Kryesisë të mbajtur sot, PDK gjithashtu ka vendosur që drejtimin e degës së Mitrovicës t’ia kalojë Arian Tahirit, meqë Bedri Hamza është zgjedhur kryetar i PDK-së.

Postimi i plotë:

PDK mban mbledhjen e Kryesisë, formon Shtabin Qendror Zgjedhor për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Prishtinë, 26 nëntor – Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, të udhëhequr nga kryetari Bedri Hamza, në të cilën është diskutuar dhe vendosur për organizimin e partisë në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 dhjetorit.

Në këtë mbledhje, kryesia ka miratuar formimin e Shtabit Qendror Zgjedhor, i cili do ta udhëheqë procesin organizativ dhe koordinues të fushatës.

Me vendim të Kryesisë, shtabi do të udhëhiqet nga ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili me përvojën, integritetin dhe profesionalizmin e tij, do të garantojë një organizim efikas dhe dinamik drejt fitores.

Poashtu, Kryesia ka vendosur që pas zgjedhjes së Bedri Hamzës, Kryetar i PDK-së, Arian Tahiri të jetë Ushtrues Detyre i Kryetarit të Degës në Mitrovicë.

Kryesia ka mbështetur edhe koalicionin e Partisë Demokratike të Kosovës me Grupin e Deputetëve të Familjes.

PDK hyn në këto zgjedhje me unitet të plotë, me struktura të mobilizuara dhe me besim në projektin e saj për një qeverisje të përgjegjshme, stabile dhe në shërbim të qytetarëve.

Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë t’i informojë mediat dhe opinionin publik për secilin hap të mëtejmë të procesit zgjedhor.