Partia Demokratike e Kosovës ka zhvilluar sot një konferencë për media.
Para gazetarëve është deklaruar deputeti i kësaj partie, Sejdi Hoxha.
Hoxha tha se që nga dita e parë e kësaj qeverie është parë qartë tendenca për të pushtuar çdo institucion dhe çdo individë në kundërshtim me ligjin dhe Kushteutën.
“Edhe vendimi i fundit mbrëmë për të organizuar protestën sot nga qeveria e territ është presion ndaj vendimit të ardhshëm të Kushtetueses, megjithatë shqetësim serioz paraqet skandali më i madh deri më tani siç është ndërhyrja e paligjshme në Dhomën e Përgjimeve në Telekom. Qytetarët janë të shqetësuar për veprimin e rrezikshëm të kryeministrit në largim, Albin Kurti, zv/kryeministrit Haki Abazi dhe Xhelal Sveçlës të cilët në mënyrë të paligjshme hyn në mënyrë të paligjshme në këtë dhomë. Gjatë kësaj vizite është konfirmuar se kamerat që monitorojnë aty janë fikur. Dhe nga kjo dyshohet se përmes këtyre zyrtarëve janë futur persona të VV-së të cilët kanë marrur të gjitha komunikimet dhe telefonatat e qytetarëve të ruajtura për 20 vite”, tha Hoxha, raporton Indeksonline.
Deputeti Hoxha theksoi se sot të gjitha komunikimet private të mbi 1 milion burra e grave për sa kohë që operon Vala e Telekomi i Kosovës , e të shumë familjeve janë tanimë në duar të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Ky veprim përbën kërcënim real për çdo qytetarë, familjarë, gazetarë apo biznesmen që në çdo kohë tani e tutje mund të shantazhohen nga Lëvizja Vetëvendosje. Deri më tani për 20 vite sa ruhen këto nga kjo qendër nuk kanë dalur asnjëherë ndonjë e dhënë apo komunikim privat. Të vetmit persona të autorizuar për të pasur qasje aty janë Prokurori i Shtetit dhe personi përgjegjës për komunikim me Prokurorinë brenda PTK-së. Është urgjente që nga ky veprim i rrezikshëm organet e drejtësisë të vënë para përgjegjësisë dhe t’i arrestojnë zyrtarët e Telekomit, Bordin dhe Drejtoreshën Ekzekutive që kanë lejuar hyrjen e personave të paautorizuar në Dhomën e Përgjimeve. I bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale që menjëherë të fillojnë hetimet penale për këtë shkelje flagrante e të rrezikshme të Kurtit, Abazit dhe Sveçlës”, përfundoi ai.