PDK raporton parregullsi masive në Mitrovicë: “20 vendvotime u lëvizën nga klasa në klasë”

Kryesuesi i Qendrës Komunale të Numërimit në Mitrovicë nga radhët e PDK-së, Jahir Sumiqi, ka ngritur akuza të rënda për manipulime dhe parregullsi gjatë procesit të numërimit të votave në këtë komunë.

Sipas tij, që nga ora 8 e mëngjesit, kur nisi procesi, janë hasur “parregullësi të jashtëzakonshme”, duke theksuar se nga gjithsej 35 kuti të numëruara, mbi 20 vendvotime kanë pasur lëvizje të dyshimta të materialeve zgjedhore.

“Numërimi ka filluar në orën 8 të mëngjesit – tash jemi në pasditë, ku po përballemi me parregullësi të jashtëzakonshme. Deri më tash janë numëruar gjithsej 35 kuti votimi, prej të cilave mbi 20 vendvotime kanë lëvizur nga klasa në klasë apo edhe nga vendvotimi në vendvotim. Pra, është një inxhiniering i organizuar, që shihet qartë prej provave dhe fakteve të argumentuara që i kemi hasur gjatë numërimit të votave. Deri tash, siç e potencova edhe më herët, janë mbledhur mbi 20 fletëvotime me numra të ndryshëm serikë – pra, numri serik dallon prej vendvotimit.” – tha ai për media.