Partia Demokratike e Kosovës, dje, në Konventen e Përgjithshme të kësaj partie, ka miratuar Deklaratën Politike prej 15 pikave, shkruan Mitropol.
Në këtë deklaratë, kjo parti, ndër tjera, deklarohet e shqetësuar nga mbajtja e padrejt, sipas tyre, e krerëve të UÇK-së në Hagë; nga qeveria aktuale në detyrë, e cila, sipas tyre, e ka kthyer debatin politik “në fyerje dhe përjashtim dhe ka ndikuar në polarizim të skajshëm të shoqërisë” si dhe nga gjendja e rëndë e ekonomisë.
Deklarata e plotë Politike e PDK-së:
1. Partia Demokratike e Kosovës është trashëgimtare e kauzës çlirimtare, shtet-formuese dhe e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sakrifica kolektive, gjaku i të rënëve, kontributi i gjeneratave të tëra dhe vizioni për liri e pavarësi përbëjnë gurthemelin ideologjik që na obligon të veprojmë me përulësi ndaj së kaluarës e me guxim për të ardhmen. Mbrojtja e këtyre vlerave, si dhe përkushtimi për liri e mundësi të barabarta për të gjithë, janë mision i përhershëm moral e politik.
2. Rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 është sinjal shprese, por mbi të gjitha mandat përgjegjësie. Programi me të cilin ka garuar PDK na udhëzon të rimëkëmbim ekonominë, të forcojmë shtetin ligjor dhe të sigurojmë mirëqenie reale për çdo familje kosovare. PDK e konsideron lirinë individuale, ekonominë e hapur dhe shtetin e së drejtës si themel për prosperitet gjithëpërfshirës.
3. PDK i mirëpret zgjedhjet e ardhshme lokale që do të mbahen më 12 tetor dhe tashmë ka filluar mobilizimin e të gjitha strukturave në çdo nivel të organizimit partiak. Duke e vlerësuar lart punën e madhe të kryetarëve të komunave nga radhët e PDK-së, zotohemi për t’ju ofruar qytetarëve në të gjitha komunat ku do të garojmë modelin e qeverisjes efikase, që kryen punë dhe i mban premtimet.
Në të njëjtën kohë, PDK kërkon dhe angazhohet që urgjentisht të themelohen institucionet qendrore, legjitime e të përgjegjshme, që do të marrin me përgjegjësi politike e qytetare detyrën e qeverisjes së Kosovës dhe orientimin e shtetit kah stabiliteti, zhvillimi e integrimi euro-atlantik, pas degradimit dhe dëmeve që ka prodhuar mandati i kaluar qeverisës.
4. Qeverisja aktuale e ka degraduar debatin politik në fyerje dhe përjashtim dhe ka ndikuar në polarizim të skajshëm të shoqërisë. Ne do të rikthejmë dialogun si instrument politik në funksion të kërkimit të bashkëpunimit dhe konsensusit politik e institucional, si mekanizma për të promovuar dhe mbrojtur interesat e shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj.
5. Sulmet ndaj sistemit të drejtësisë, mediave dhe agjencive të pavarura rrënojnë besimin në institucione dhe në shtetin në përgjithësi. PDK angazhohet për pavarësinë e këtyre sektorëve dhe konsideron se çdo tentim për të zbehur këto shtylla të shoqërisë, cenon themelet e demokracisë dhe qon vendin kah autokracia.
6. PDK shpreh indinjatë të thellë lidhur me mënyrën e zhvillimit të procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të të akuzuarve të tjerë.
Duke qenë të bindur në pafajësinë e tyre të plotë, konsiderojmë se mbajtja e tyre, për më shumë se katër vjet e gjysmë në paraburgim, përbën një shkelje flagrante të standardeve të drejtësisë perëndimore, standarde të cilat kemi besuar se do të respektoheshin me përpikëri nga kjo gjykatë.
Zvarritja e pajustifikuar e procedurave dhe devijimi nga standardet bazë të së drejtës penale ndërkombëtare përbëjnë shkelje serioze të të drejtave të të akuzuarve dhe cenojnë legjitimitetin e procesit.
PDK kërkon përshpejtimin e procedurave në përputhje me parimin e gjykimit të drejtë dhe brenda një afati të arsyeshëm, transparencë të plotë dhe respektim të rreptë të standardeve ndërkombëtare të drejtësisë, veçanërisht të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
7. PDK vlerëson se integrimi evropian është orientimi ynë strategjik dhe partneriteti me Bashkimin Evropian është jetik për ndërtimin e paqes dhe për zhvillimin në rajon. Duke pasur parasysh përkushtimin tonë të palëkundur për të lëvizur me hapa sa më të shpejtë drejt BE-së, u bëjmë thirrje institucioneve të BE-së që t’i heqin masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës. Këto masa, që PDK prej fillimit i ka cilësuar si të padrejta, rëndojnë qytetarët tanë dhe pengojnë dinamizmin ekonomik e social që vetë Evropa synon ta nxisë.
PDK garanton se do të punojë me vendosmëri për përmbushjen e të gjitha standardeve evropiane, forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e dialogut konstruktiv me fqinjët.
8. Integrimi në NATO është garanci e sigurisë kolektive. PDK është e përkushtuar të rikthejë Kosovën në rrugën e sajstrategjike, drejt një politike të jashtme të orientuar nga aleancat, një politike të brendshme të përgjegjshme ndaj sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes, si investim në sovranitet, besueshmëri dhe të ardhme të sigurt.
Prandaj, PDK angazhohet të rikthejë rreshtimin strategjik me NATO-n dhe me SHBA-në, duke forcuar e rritur bashkëpunimin dhe përfshirjen në arkitekturën rajonale të sigurisë; të pozicionojë Kosovën si kontribuese përstabilitetin në Evropën Juglindore, duke forcuar kapacitetet e brendshme ushtarake dhe duke konsoliduar mbarë sektorin e sigurisë.
Kjo përfshin përafrimin e plotë të politikave dhe planifikimeve mbrojtëse me standardet e NATO-s, intensifikimin e bashkëpunimit me institucionet amerikane të mbrojtjes, avancimin e rolit të Kosovës në mekanizmat rajonalë që promovojnë paqen dhe stabilitetin, si dhe pjesëmarrjen aktive të ushtrisë tonë në misione paqeruajtëse ndërkombëtare, në përputhje me angazhimet dhe vlerat tona të përbashkëta me aleatët.
9. Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, do të kërkojmë rikthimin e qëllimit për marrëveshje përfundimtare, ligjërisht obliguese dhe të garantuar ndërkombëtarisht, të përqëndruar në njohjen reciproke, në mënyrë që të hapet kapitulli i paqes dhe integrimit euro-atlantik të mbarë rajonit.
10. PDK është thellësisht e shqetësuar nga gjendja e rënduar e ekonomisë dhe vështirësitë në rritje me të cilat po përballen qytetarët. Çmimet po rriten dhe qytetarët po varfërohen, bizneset po mbyllen, investimet e reja kanë ngecur, deficiti tregtar po zgjerohet, paratë publike po shpenzohen pa gjeneruar rritje ekonomike dhe qytetarët po largohen nga vendi.
Prandaj, është koha për një rilindje ekonomike që kërkon një ndryshim themelor në mentalitetin qeverisës, që krijon kushte reale për zhvillim ekonomik duke mbështetur sektorin privat, duke përmirësuar lirinë ekonomike, duke mundësuar konkurrencën e lirë, duke mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe, më e rëndësishmja, duke rikthyer besimin e qytetarëve se mund të jetojnë më mirë në Kosovë.
11. Për të garantuar zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe siguri kombëtare, Kosova duhet të ndërmarrë hapa vendimtarë drejt pavarësisë energjetike, duke diversifikuar burimet, përfshirë përdorimin e gazit natyror, duke investuar në energji të ripërtëritshme dhe duke fuqizuar kapacitetet vendore prodhuese.
12. PDK është e shqetësuar me degradimin e vazhdueshëm të ambientit dhe do të angazhohet për një tranzicion të gjelbër të ekonomisë dhe amvisërive në Kosovë, duke përfshirë edhe promovimin e projekteve që nxisin përdorimin efiçient të energjisë.
13. PDK angazhohet për modernizimin e plotë të shëndetësisë, sepse një sistem shëndetësor bashkëkohor, me pacientin në qendër është obligim ndaj qytetarëve. Gjithashtu, PDK angazhohet për një sistem arsimor modern dhe cilësor, që u mundëson nxënësve dhe studentëve tanë konkurrueshmëri në rajon dhe më gjërë, në të gjitha fushat. Prandaj, zotohemi për reformë gjithëpërfshirëse që modernizon kurrikulat, fuqizon aftësitë digjitale dhe rritë cilësinë e mësimdhënies.
Mbi të gjitha, PDK angazhohet që të gjithë punonjësit e sektorit publik të kenë paga që sigurojnë mirëqenie dhe dinjitet për ta dhe familjet e tyre;
PDK zotohet për kujdes të veçantë moral e financiar për kategoritë e dala nga lufta, si dhe për pensionistët dhe kategoritë e tjera që mbështeten nga buxheti i shtetit, në mënyrëqë t’u sigurohet mirëqenie dhe dinjitet, atyre dhe familjeve të tyre.
14. PDK është e përkushtuar për fuqizimin e grave dhe të rinjve, duke e konsideruar këtë përpjekje të domosdoshme për zhvillimin gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm të shoqërisë. Synimi ynë është përfaqësimi i barabartë gjinor – 50/50 – në të gjitha nivelet e vendimmarrjes.
PDK beson se vetëm një shoqëri ku çdo individ ka mundësinë të realizojë potencialin e vet, pa barriera shoqërore e institucionale, është vërtet demokratike dhe përfaqësuese. Krijimi dhe forcimi i mekanizmave që fuqizojnë gratë dhe të rinjtë nuk është vetëm detyrim moral, por edhe veprim i domosdoshëm për të zhvilluar gjithë potencialin dhe kapitalin njerëzor të shtetit tonë.
15. PDK është e bashkuar, e fortë dhe e vendosur që t’i prijë Kosovës drejt një të ardhmeje të sigurt e të zhvilluar. Ne ftojmë çdo qytetar, në Kosovë dhe në mërgatë, që të na bashkohet në këtë mision të shpresës dhe zhvillimit për të tashmen dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës.