PDK pas takimit të Osmanit me Krasniqin: S’ka shumicë për formimin e një qeverie të re

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është takuar me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për t’ia përsëritur qëndrimin e qartë të këtij subjekti lidhur me situatën politike në vend.

Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, ka deklaruar se në Kuvendin e Kosovës nuk ekziston shumicë për formimin e një qeverie të re nga kjo legjislaturë.

“Po, sot pasdite, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është takuar me Presidenten Osmani, për t’ia përsëritur qëndrimin e qartë dhe parimor të PDK-së, tashmë të bërë publik edhe përmes komunikatës zyrtare, se në Kuvendin e Kosovës nuk ekziston shumicë për formimin e një qeverie të re nga kjo legjislaturë.

Në këtë rrethanë, çdo mandatim i radhës për këdo nga Lëvizja Vetëvendosje do të ishte vetëm një përpjekje e kotë për të fituar kohë, një zvarritje e panevojshme që vetëm se do ta thellonte krizën politike, pasigurinë institucionale dhe humbjen e besimit të qytetarëve në institucione”, ka deklaruar Abdullahu.

Sipas PDK-së, vendi ka nevojë për zgjidhje të qartë politike që rikthen stabilitetin dhe besimin në institucione, e jo për shtyrje të krizës aktuale.

Mandatari i ri| Osmani pas Kurtit takon edhe Krasniqin e Abdixhikun

Zëdhënësi i LDK’së, Besian Mustafa, ka thënë për Gazetën Express se Abdixhiku ka paraqitur qëndrimet e kësaj partie karshi zhvillimeve të fundit.

“Po ka qenë në takim, në lidhje me zhvillimet e fundit për të paraqitur qëndrimet e LDK’së”, tha ai.

Sot, Vetëvendosje ka mbajtur mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm ku ka votuar për propozimin e Glauk Konjufcës si mandatar të dytë për formimin e qeverisë.

Presidentja Osmani ka kohë deri nesër të vendosë nëse do ta mandatojë edhe një emër tjetër apo do ta çojë vendin në zgjedhje.