Partia Demokratike e Kosovës ka dalë me një komunikatë për media për procesin e zhvilluar në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
PDK-ja ka thënë se sot dëshmoi për rolin e saj shtetformues dhe përkushtimin ndaj funksionit demokratik të institucioneve.
Për këtë parti, ora për themelimin e institucioneve të reja ka nisur dhe i ka bërë thirrje që këtë periudhë ta trajtojë me seriozitet, ashtu siç e kërkon situata politike dhe nevoja për stabilitet të vendit.
PDK-ja ka shprehur gatishmërinë e saj që në rast dështimi të Vetëvendosjes si e para parti në zgjedhje, të formojë qeverinë e re të Kosovës.
“Sot, duke votuar pro raportit të Komisionit Verifikues të kuorumit dhe mandateve, PDK kontribuoi në tejkalimin e një ngërçi të panevojshëm parlamentar, pas vendimit të këtij komisioni për të pranuar kërkesën tonë për të përfshirë, njohur dhe evidentuar në procesverbal faktin e dorëheqjeve individuale të Kryeministrit dhe ministrave, në përputhje me frymën e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin e ish-kryetarit të Rahovecit, Qazim Çeska. Në këtë mënyrë, Partia Demokratike e Kosovës dëshmoi edhe një herë rolin e saj shtetformues dhe përkushtimin ndaj funksionimit demokratik të institucioneve”, thuhej në njoftim.
Sipas PDK-së, me këtë veprim, u zhbllokua procesi për betimin e deputetëve të legjislaturës së nëntë, duke i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe rivendosjes së normalitetit institucional. Partia Demokratike e Kosovës i uron të gjithë deputetët që kanë marrë mandatin e tyre zyrtarisht dhe i fton ata që t’i qëndrojnë besnik detyrimeve të tyre kushtetuese dhe interesit qytetar.
PDK njeh të drejtën kushtetuese të partisë së parë për të propozuar kandidatin/en për Kryetar të Kuvendit, mirëpo kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe përkrahjen tonë për atë kandidaturë. Ora për themelimin e institucioneve të reja të Republikës ka nisur. Përgjegjësia e parë, por jo e përhershme, bie mbi koalicionin VV-Guxo-Alternativa, i cili duhet ta trajtojë këtë moment me seriozitetin që kërkon situata politike dhe nevoja e vendit për stabilitet.
“Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë një faktor stabiliteti, garantuese e rendit kushtetues dhe zë i fuqishëm i interesit qytetar. E përkushtuar ndaj demokracisë, shtetndërtimit dhe zhvillimit, PDK mbetet e gatshme të marrë përgjegjësinë për formimin e një qeverie të re profesionale, me Kryeministër Bedri Hamzën, dhe me objektiva të qarta për të kthyer shtetin në binarët e duhur të zhvillimit dhe integrimit – në rast se mandatari i parë dështon në sigurimin e shumicës parlamentare, siç u dëshmua qartazi edhe sot”, ka thënë ajo.