Ka përfunduar mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ku deputetët e zgjedhur të kësaj partie kanë theksuar se qëndrimet e tyre mbeten të pandryshuara. Vendimet e marra në këtë mbledhje do të bëhen publike përmes një komunikate zyrtare.
Pas mbledhjes, deputeti i zgjedhur i PDK-së, Mërgim Lushtaku, deklaroi se kjo parti nuk do të marrë pjesë në votimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës në seancën konstituive që do të mbahet nesër.
“Si parti i kemi organizuar të gjitha rrethanat politike dhe sigurisht që qëndrimi mbetet i njëjtë. Presim deri nesër për të parë zhvillimet e mëtejshme, por jo, absolutisht nuk do ta votojmë,” tha Lushtaku.
Ndërkohë, një takim është zhvilluar sot mes nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, dhe anëtarit të Nismës Socialdemokrate, Endrit Shala.
Dy politikanët janë parë duke biseduar në një kafiteri në lagjen Pejton të Prishtinës.
Po ashtu, gjatë pasdites, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është takuar me deputeten Duda Balje nga Bashkimi Social Demokrat (SDU).
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës pritet të mbahet nesër.
Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në muajin shkurt, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese me 42.30% të votave, duke siguruar 48 deputetë.
PDK renditet e dyta me 20.95% dhe 24 deputetë, ndërsa LDK ka marrë 18.27% të votave dhe 20 ulëse në Kuvend.
Koalicioni AAK-Nisma ka siguruar 7.06% të votave, që përkthehet në 8 deputetë.