Partia Demokratike e Kosovës ka përshëndetur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese e Kosovës, me të cilin janë shpallur antikushtetuese 13 ligje të miratuara nga Qeveria Kurti më 5 dhjetor 2024. Këto ligje ishin dërguar për shqyrtim kushtetues nga deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së.
Sipas PDK-së, vendimi i Gjykatës përbën konfirmim të qartë institucional se shumica qeverisëse ka shkelur Kushtetutën e Kosovës, duke cenuar parimin e ndarjes së pushteteve, rolin kushtetues të deputetëve, Kuvendi i Kosovës dhe rregulloren e punës, si dhe duke dëmtuar funksionimin e komisioneve parlamentare.
Në komunikatën e saj, PDK thekson se aktgjykimi dëshmon se procedurat parlamentare janë përdorur si instrument force politike, e jo si mekanizëm demokratik i vendimmarrjes, duke minuar standardet kushtetuese dhe funksionimin normal të institucioneve.
Tutje, PDK vlerëson se ky vendim nxjerr në pah rëndësinë e veprimit opozitar të përgjegjshëm, duke nënvizuar se partia ka zgjedhur rrugën institucionale për të mbrojtur rendin kushtetues, përballë asaj që e cilëson si prirje të vazhdueshme antikushtetuese dhe përqendrim të kundërligjshëm të pushtetit nga ana e qeverisë.
Partia Demokratike e Kosovës rithekson se Kushtetuta është themeli i shtetit dhe se asnjë shumicë parlamentare nuk ka të drejtë ta relativizojë apo ta shkelë atë në emër të pushtetit momental.
Në fund, PDK ka bërë të ditur se do të vazhdojë angazhimin e saj politik dhe institucional në mbrojtje të rendit kushtetues, sundimit të ligjit dhe funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës, duke theksuar se shteti i së drejtës mbrohet çdo ditë, e jo vetëm kur i konvenon pushtetit.










