Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, në një konferencë për media, ka kërkuar shkarkimin e deputetes Fitore Pacolli nga pozita e kryetares së Komisionit Parlamentar për Bujqësi dhe ministrit Faton Peci, duke kërkuar gjithashtu që ndaj këtij të fundit të nisin hetime penale për të verifikuar rrethanat nëse i njëjti ka ndikuar që një vëlla i deputetes të përfitojë rreth 100 mijë euro grant.
Mustafa ka thënë se zbulimi i skandalit të përfitimit të grantit në vlerën rreth 100 mijë euro nga vëllai i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, përbën vetëm një dëshmi se si zyrtarët më të lartë shtetërorë të këtij pushteti po i shfrytëzojnë dhe i shpërdorojnë institucionet publike për të përfituar ata dhe familjarët e ngushtë të tyre nga paratë e taksapaguesve të Kosovës.
“Ky skandal nuk është aspak i rastësishëm sepse Fitore Pacolli është Kryetare e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, komision të cilit i raporton Ministri i Bujqësisë, Faton Peci. Siç u dëshmua tani më, vëllai i deputetes Pacolli, biznesin e tij e kishte themeluar pas aplikimit për projekt dhe vetëm 4 ditë para nënshkrimit të kontratës, gjë që ngre dyshime të mëdha për montimin dhe orkestrimin e përfitimit të këtij projekti, për motive të cilat duhet të zbardhen nga institucionet e drejtësisë”, ka thënë Mustafa.
Mustafa ka thënë se pas zbulimit të këtij skandali, ministri Faton Peci do të duhej të raportonte në Komisionin Parlamentar për Bujqësi, por ngase ka akomoduar interesat e ngushta financiare të familjes së Kryetares së këtij Komisioni Fitore Pacolli, tashmë kjo e fundit nuk e ka kredibilitetin që ta ftojë në raportim ministrin Peci, për shkak të rrethanave të konfliktit të interesit.
“Prandaj, ne kërkojmë shkarkimin e Fitore Pacollit nga pozita e kryetares së këtij komisioni, pasi që konsiderojmë se këtë funksion e ka shfrytëzuar me qëllim të ushtrimit të ndikimit, i cili ka quar në përfitimin e grantit në vlerë rreth 100 mijë euro nga vëllau i saj.
Nga ana tjetër, për ministrin Peci, as dorëheqja e as shkarkimi nuk mjaftojnë. Ndaj tij kërkojmë që të zhvillohen hetime penale për të verifikuar rrethanat nëse i njëjti ka ndikuar që një vëlla i deputetes të përfitojë rreth 100 mijë euro dhe nëse ky përfitim është rezultat i raportit të vartësisë zyrtare që ky ministër e ka me komisionin të cilin e udhëheqë Fitore Pacolli”, ka thënë Mustafa.
Anëtari i kryesisë së PDK-së, ka thënë se skandali thellohet edhe më shumë, kur në të njëjtin afat për grante i është refuzuar përkrahja zonjës Fahrije Hoti, si njëra prej grave heroina të Krushës.
Ministria e Bujqësisë e drejtuar nga Faton Peci ia ka ndarë 100 mijë euro në formë granti vëllait të deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacollit, për një shtallë.
Por, krahas asaj 100 mijëshe, kjo ministri, siç publikoi dokumentet Persikopi, kjo Ministri ia ka ndarë 100 mijë euro edhe këshilltarit të Ministrit, Naim Huruglicës.
Por, nuk mbaron me kaq.
50 mijë tjera i janë ndarë një bashkëpartiaku të tij për ndërtimin e disa villave.