PDK-ja zyrtarizon koalicionin me Eman Rrahmanin

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka njoftuar për marrëveshje koalicioni para dhe pas zgjedhor me Eman Rrahmanin e Listës për Familjen.

Partia Demokratike e Kosovës e ka zyrtarizuar të mërkurën koalicionin me Eman Rrahmanin që në zgjedhjet e kaluara i priu Listës për Familjen.

Në një konferencë për media, Hamza ka thënë se bëhet fjalë për marrëveshje që ka synim “ndryshimin e gjendjes në Kosovë”.

Ai e ka cilësuar praninë e anëtarëve të Listës për Familjen në listën e PDK-së për zgjedhjet e 28 dhjetorit si “vlerë të shtuar”.

“Qëllimi i këtij koalicioni është në drejtim të asaj që të bëjmë progres dhe të ndryshojmë gjendjen në vend. Jam i bindur që ky është një koalicion i qëndrueshëm”, ka thënë Hamza.

E Rrahmani ka thënë se ka negociuar edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por ka shtuar se në këto zgjedhje kanë vendosur të arrijnë marrëveshje me PDK-në.

“Kemi diskutuar çështjen e zhvillimit, situatës me energjinë, aspektin social dhe shoqërinë dhe familjen në përgjithësi. Kemi arritur dakordim të plotë në të gjitha pikat dhe jemi dakorduar e zotuar për një angazhim të përbashkët në ngritjen e mirëqenies, në ruajtjen e familjes dhe dinjitetit tonë, por edhe punët që e presin vendin tonë”, ka thënë Rrahmani.

Koalicioni për Familjen pati garuar për herë të parë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Ky koalicion i disa subjekteve nuk e pati kaluar pragun. Pati marrë 2.13 për qind të votave ose 20 mijë e 23 vota.