Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza i ka shkruar letër presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke i kërkuar që ta emërojë anëtarin e dytë të kësaj partie në KQZ.
Hamza i ka kërkuar Osmanit që të procedojë pa vonesë me emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“Në këtë letër, Kryetari Hamza thekson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KO81/26 ka sqaruar përfundimisht çdo paqartësi lidhur me këtë çështje, duke konfirmuar se përfaqësimi i PDK-së me dy anëtarë në KQZ është një e drejtë kushtetuese dhe jo çështje interpretimi politik”, thuhej në një njoftim të PDK-së në rrjetet sociale.
Sipas Hamzës, mosveprimi në këtë fazë do të përbënte shkelje të rendit kushtetues dhe do të krijonte precedent të rrezikshëm për funksionimin demokratik të institucioneve në vend.
“Ai i bën thirrje Presidentes Osmani që të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke garantuar respektimin e të drejtave të subjekteve politike dhe integritetin e KQZ-së”, thuhej në njoftim.










