PDK-ja nuk lutë, pret nga partitë tjera ta lusin për koalicion

Ndonëse disa prej partive kanë bërë koalicion me njëra-tjetrën e disa të tjera janë në bisedime, Partia Demokratike e Kosovës po vazhdon të mbesë e vetme përballë sfidës së 6 tetorit. Nga PDK-ja nuk kanë pohuar nëse kanë pasur ofertë nga ndonjë parti për bashkëpunim parazgjedhor, por kanë deklaruar se nuk do ta lusin asnjë subjekt politik për të lidhur koalicion, shkruan gazeta “Zëri”.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare Partia Demokratike e Kosovës e kishte bërë koalicionin më të madh parazgjedhor në historinë politike të Kosovës, duke mbledhur pas vetes hiç më pak se 21 parti. Pas zgjedhjeve, duke iu bashkuar edhe Aleanca Kosova e Re, koalicioni i quajtur PAN arriti ta formojë Qeverinë në krye me Ramush Haradinajn.

Mirëpo, ndonëse tash kanë mbetur vetëm edhe dy ditë deri në përfundimin e afatit për paraqitjen e koalicioneve për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, PDK-ja ende nuk ka lidhur koalicion me asnjë parti politike. Subjektet opozitare, por edhe ato të cilat kanë qenë partnere të PDK-së në qeverisje deri tash kanë refuzuar bashkëpunimin me të, duke mos i lënë zgjidhje tjetër, pos shkuarjes si e vetme në zgjedhje.

Edhe pse deri tash PDK-ja ka qëndruar e heshtur sa u përket koalicioneve, nënkryetarë të saj kanë theksuar për “Zërin” se PDK-ja nuk e lut askënd për koalicion.