PDK-ja i vendos vija të kuqe Kurtit: Nuk bëjmë koalicion me VV-në, nuk na lidh asgjë me të

Partia Demokratike e Kosovës nuk do të bëjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Ky është qëndrimi zyrtar i partisë më të madhe opozitare në vend.

Tre zyrtarët më të lartë të PDK-së kanë bërë me dije se në asnjë mënyrë nuk do të bashkëpunojnë me partinë e Albin Kurtit për formimin e qeverisë së re.

Bedri Hamza, Memli Krasniqi dhe Vlora Çitaku kanë qartësuar se koalicioni në mes këtyre subjekteve politike nuk do të ndodh edhe sikur VV-ja të heq dorë nga posti i kryeministrit.

Këtë qëndrim e ka përsëritur mbrëmë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Në emisionin “Debat Plus”, ai ka thënë se dallimet në mes të këtyre dy subjekteve politike janë të mëdha.

“Jo nuk shkojmë në koalicion. Pikë. Në asnjë formë. Pikë… Nuk bëjmë koalicion me Vetëvendosjen, sepse nuk na lidh asgjë. Në kuptim as program, e as parimor, e as në kuptimin qysh e shohim të kaluarën, e aq më pak qysh e shohim të ardhmen. Ne nuk kemi pika që kishin me na bë bashkë”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi: Nuk shkojmë në koalicion me Vetëvendosjen

Dy ditë më parë, edhe sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, e ka treguar pozicionin e kësaj partie në raport me VV-në.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ajo ka qartësuar se bashkëpunimi me partinë në pushtet nuk është i mundur për shkak të diferencave të mëdha.

“Nuk është ky një refuzim kryeneç, sepse kemi vendosur ashtu. Thjeshte jemi shumë të ndryshëm dhe nuk shohim asnjë mundësi që të bashkëqeverisim me Lëvizjen Vetëvendosje”, ka thënë ajo.

Sipas saj, një gjë e tillë nuk është e mundur edhe sikur LVV-ja të ia jep PDK-së postin e kryeministrit.

“Nuk shohim asnjë mundësi, as edhe me kushtin që z. Hamza të jetë kryeministër që të bashkëqeverisim me Lëvizjen Vetëvendosje. Nuk po them diçka të re, këtë e ka bërë shumë të qartë edhe vet kandidati për kryeministër, z. Hamza dhe kryetari i partisë”, është shprehur Çitaku.

Çitaku thotë se PDK-ja nuk bashkëqeverisë me LVV edhe nëse i ofrohet posti i kryeministrit

Kurse, menjëherë pas zgjedhje, një qëndrim të tillë e kishte thënë edhe kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.

Ai pati bërë me dije se një gjë e tillë nuk do të ndodhë edhe nëse Kurti dhe VV-ja ia ofrojnë postimin e kryeministrit.

“Është punë e mbyllur, nuk është problemi te posti i kryeministrit. Nuk është kërkesa që dikush prej PDK-së në këtë rast unë me qenë kryeministër. Unë jam I gatshëm me marrë përgjegjësi, por jo kur e di që nuk ke program që mund e harmonizon”, kishte thënë Hamza në emisionin “Pressing” në T7.

Sipas tij, ka dallime të thella konceptuale mes PDK-së dhe VV-së.

“E dini qëndrimin tonë, nuk e kam problem, kam dalë të nesërmen me qëndrim. Kam thënë që për neve bashkëpunimi nuk është i mundur. Qytetarët e Kosovës kanë vendosur për një orientim tjetër, kemi dallime konceptuale shumë të thella, prej infrastrukturës e deri te diplomacia. Mirëpo nuk është qëllimi që tash ne duam të bëjmë bllokadë se po duam të vijmë në pushtet. Urdhëro bëje koalicionin”, ka thënë Hamza.

Deri me tani edhe AAK-ja ka treguar se në asnjë mënyrë nuk do të bashkëpunojë me VV-në. Një qëndrim më ndryshe e ka dhënë Nisma, e cila në zgjedhjet e shkurtit ka fituar 3 deputetë. Kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj, është treguar i gatshëm të bashkëpunojë me të gjitha partitë për t`i formuar institucionet e Kosovës.

Deri me tani vetëm LDK-ja nuk ka dhënë ndonjë qëndrim të qartë. Kryetari i kësaj parti, Lumir Abdixhiku, ka thënë se qëndrimet përfundimtare të kësaj partie do të jepen pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit.