Partia Demokratik e Kosovës i është përgjigjur deputetit Enver Hoxhaj, i cili sot ka kërkuar që të shtyhet konventa për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë me dije se Konventa e Jashtëzakonshme është thirrur në bazë të nenin 35 të Statutit të Partisë.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, ajo ka thënë se sipas statut konventa duhet të mbahet brenda pesë ditësh.
Ajo ka theksuar se PDK-ja e inkurajon garën e brendshme për kryetar.
“Në mbledhjen e fundit të Kryesisë, pas dorëheqjes së Kryetarit Memli Krasniqi, Kryesia vendosi të thërrasë Konventën e Jashtëzakonshme, e cila, bazuar në nenin 35 të Statutit të Partisë, duhet të mbahet brenda pesë ditësh. Ne e inkurajojmë dhe e mirëpresim garën e brendshme. Çdo anëtar apo anëtare që i plotëson kriteret e përcaktuara me Statut është i mirëseardhur të kandidojë. Gara do ta bënte Konventën edhe më madhështore”, ka vlerësuar Çitaku.
Ajo ka bërë me dije se më e rëndësishme se gara e brendshme partiake është fitorja e PDK-së në zgjedhjet parlamentare.
“Për secilin prej nesh, qofshim në garë ose jo, është thelbësore që në përfundim të këtij procesi të dalim të unifikuar, me vizion të qartë dhe me platformë të fortë për zgjedhjet e përgjithshme që na presin shumë shpejt. Më e rëndësishme se gara e brendshme është fitorja jonë në zgjedhjet parlamentare. Sepse beteja kryesore politike për secilin prej nesh është ajo se kush do të jetë Kryeministri i ardhshëm i Republikës së Kosovës”, është shprehur Çitaku.
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka kërkuar që të shtyhet konventa për zgjedhjen e kryetarit, e cila pritet të mbahen të hënën.
Ai ka bërë me dije se një parti serioze nuk mund të mbajë një konventë politike dhe përmbajtjesore në një kohë kaq të shkurtër.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hoxhaj ka shkruar se ka kërkua nga kryesia e partisë që konventa të shtyhet të paktën për të dielën e ardhshme.
“Konventa e PDK-së për të zgjedhur kryetarin e partisë duhet të shtyhet, sepse një parti serioze nuk mund të mbajë një konventë politike dhe përmbajtësore në një kohë kaq të shkurtër. Kërkoj nga Kryesia e PDK-së shtyrjen e Konventës për të paktën deri të dielën e ardhshshme, sepse kështu do u jepej mundësia anëtarësisë dhe delegatëve të njihen me kandidaturat dhe platformat për zhvillimin e partisë dhe për çështje serioze që prekin vendin. Kjo do ta rriste cilësinë e kandidaturave dhe konkurrencën ndërmjet platformave, pasi zhvillimet e fundit kanë qenë të befasishme”, ka shkruar ai.
Ai ka bërë me dije se do të ishte mirë që në këtë garë të kishte më shumë se një kandidaturë.
Megjithatë, ai nuk ka treguar nëse do të kanditojë për kryetar të PDK-së.
“Kjo nguti nuk garanton garë cilësore, as reformimin dhe unitetin e kërkuar e të domosdoshëm për PDK-në në këtë kohë. Në partitë demokratike, më shumë se një kandidaturë është mundësi për delegatët që të zgjedhin lirisht dhe ndihmon në pasurimin e platformave individuale, duke çuar në ndërtimin e një platforme të përbashkët për PDK-në. Për një vendimmarrje kaq të rëndësishme, kërkoj që procesi zgjedhor të shtyhet, në mënyrë që gara të hapet për të gjithë dhe baza të ketë kohën e duhur për të shprehur vullnetin e saj pa presion dhe pa imponime. Dorëheqja e kryetarit, e shoqëruar me preferenca për pasuesin, krijon përshtypjen e skemave të sajuara e të paragjykuara, të cilat nuk e çojnë partinë përpara”, ka shkruar Hoxhaj, duke shtuar se gara nuk duhet të orientohet.
“Unë jam qartësisht kundër çdo imponimi, kundër çdo tentative për të orientuar garën dhe kundër çdo formule që shpërfill bazën dhe delegatët. PDK-ja ka nevojë për drejtim të ri, jo për skema të vjetra; ka nevojë për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh. Ky është momenti për t’i hapur rrugën ndryshimit të vërtetë”, ka shkruar ai.











