PDK fillon betejën ligjore, dorëzon në ZRRE kundërshtimin për daljen e bizneseve në tregun e lirë

Partia Demokratike e Kosovës ka nisur sot betejën ligjore, përmes një kundërshtimi administrativ ndaj njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, me të cilin nga data 1 qershor 2025 parashihet largimi i një numri të madh biznesesh nga furnizimi përmes shërbimit universal dhe kalimi i tyre në tregun e lirë të energjisë.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, në një konferencë për media, ka thënë se ky vendim që prekë drejtpërdrejt rreth 1,300 biznese dhe mbi 140 mijë punëtorë, përbën një goditje të rëndë ndaj ekonomisë së vendit, duke rrezikuar falimentime masive, rritje të papërballueshme të çmimeve dhe një valë të re inflacioni që godet qytetarët dhe konsumatorët.

“ZRRE ka vepruar pa marrë parasysh reagimet e shoqërisë civile, odave ekonomike dhe organizatave profesionale, dhe pa përmbushur as parakushtet që vetë i kishte përcaktuar për një proces të sigurt dhe të drejtë të liberalizimit të tregut. Ky vendim është marrë në mungesë të një analize të konkurrencës, si dhe pa konsultim me institucionet përgjegjëse, si Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe Zyra e Ndihmës Shtetërore. Siç ka vërejtur qartë edhe Institucioni i Avokatit të Popullit, ky vendim cenon interesat legjitime të një komuniteti të gjerë ekonomik, duke krijuar kushte për një krizë të re sociale në vendin tonë”, theksoi ai.

 

PDK i ka bërë thirrje ZRRE-së ta pezullojë menjëherë zbatimin e këtij vendimi, në të kundërtën pas 15 ditësh PDK do të procedojë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku do të kërkohet që sa më parë t’i vihet masë e përkohshme zbatimit të tij.

Situata bëhet edhe më alarmante për shkak të pozitës dominuese të KESCO-s në treg, ndërkohë që shumica e operatorëve të tjerë të licencuar nuk janë prodhues, por vetëm tregtarë të energjisë, që ofrojnë çmime deri në 280% më të larta. Kjo provon qartë se kushtet për një treg të hapur, të drejtë dhe konkurrues nuk ekzistojnë. Prandaj, PDK i bën thirrje ZRRE-së që të pezullojë menjëherë zbatimin e këtij njoftimi, se ky as vendim nuk është. E kanë lëshuar si njoftim për t’i ikur ballafaqimit ligjor”, theksoi Tahiri.

Ai njoftoi se njëra nga kompanitë që ka aplikuar për licencim për shitblerje të energjisë është MDA, kompani e themeluar nga shefi i stafit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi.

“Luan Dalipi është themelues dhe njëkohësisht ka qenë pronar i kësaj kompanie. Pra, MDA e shefit të stafit të kryeministrit, që sot drejtohet nga Driton Dalipi, ka aplikuar për licencë për furnizim me energji elektrike në vendin tonë. Në njërën anë, kryeministri e dërgon vëllain në Departamentin për Shitblerje të Energjisë Elektrike në KEK dhe në anën tjetër shefi i stafit të kryeministrit kërkon licencë që këtyre kompanive që i kanë qitë në treg të lirë t’iu shesë energji elektrike”, shtoi Tahiri.

PDK gjatë ditës do t’ua dërgojë edhe kundërshtimin e plotë administrativ kundër aktit real –  njoftimit publik mbi liberalizimin e tregut të energjisë elektrike në Kosovë.

Të gjithë kundër shtrenjtimit të rrymës: Sot bëhet një përpjekje e re për rrëzimin e vendimit të ZRrE-së, Qeveria nuk tërhiqet

Kurse, dje Institucioni i Avokatit të Popullit ka dal me opinion për rritjen e çmimit të rrymës nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

Në njoftim, thuhet se rritja e çmimit të rrymës, ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Sipas komunikatës, situata mund të marrë përmasa shqetësuese, dhe si rezultat, ka kërkuar pezullimin e vendimit.

“Nëse nuk merren masa të menjëhershme dhe konkrete për të përmbushur detyrimet ligjore ndaj qytetarëve, situata mund të marrë përmasa shqetësuese . Më tej Avokati Popullit thekson se nevojitet një reagim serioz dhe i koordinuar nga ana e qeverisë dhe autoriteteve të përfshira, për të garantuar transparencë, llogaridhënie dhe zgjidhje të qëndrueshme, Avokati i Popullit ka kërkuar pezullimin e zbatimit të vendimeve përkatëse deri në përfundimin e hetimeve dhe shqyrtimin e të gjitha aspekteve ligjore, sociale dhe ekonomike që lidhen me këtë çështje”, thuhet në komunikatë.

Avokati i Popullit ka kërkuar pezullimin e zbatimit të vendimeve përkatëse deri në përfundimin e hetimeve dhe shqyrtimin e të gjitha aspekteve ligjore, sociale dhe ekonomike që lidhen me këtë çështje.

“Edhe përmes këtij opinioni Avokati i Popullit e ri përsëritë qëndrimin se është e nevojshme që nga ZRRE të pezullohet zbatimi i vendimit V_2697_2025, Vendimit V_2702_2025, nr.prot. 252/2025, i datës 29 prill 2025, vendimit V_2698_2025, dhe vendimit V_2703_2025, nr.prot. 253/2025, i datës 29 prill 2025. Në fund Avokati i Popullit thekson se është obligim i secilit institucion në Republikën e Kosovës, që të angazhohen në drejtim të ofrimit të shërbimeve në të mirë dhe dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke respektuar Kushtetutën dhe dispozitat ligjore në fuqi”, është thënë në komunikatë.

Dje biznese të shumta të Kosovës kanë protestuar kundër liberalizimit të tregut të energjisë, i cili do të hyjë në fuqi më 1 qershor. Këto kompani për dy orë kanë bllokuar hyrjet e Prishtinë, duke kërkuar nga Qeveria dhe ZRrE-ja shtyrjen e këtij vendimi.

Pavarësisht protestave e kundërshtimeve, ZRrE-ja ka refuzuar kërkesën për shtyrjen e vendimit.

Në anën tjetër, kryeministri në detyrë Albin Kurti i ka paralajmëruar bizneset se nuk do të lejojë bllokimin e rrugëve.