PDK e LDK refuzojnë votimin e projektligjeve të propozuara nga pushteti

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë refuzuar votimin e projektligjeve të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së dhe ajo e LDK-së deklaruan se projektligjet në fjalë nuk përmbajnë asnjë urgjencë, andaj për votimin e tyre kanë kërkuar që të ndiqet procedura e rregullt.

Arian Tahiri nga PDK-ja, e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se këto projektligje i ka propozuar vetëm për fushatë zgjedhore.

“Nuk janë asnjë urgjente, dhe si të tilla nuk i mbështet asnjë që të mundësohet të trajtohet jashtë procedurave të rregullta, është tendencë e pushtetit për fushatë zgjedhore e jo për me i trajtu me seriozitet tema kaq të rëndësishme, për shkak se duhet kohë dhe duhet të trajtohen në procedurë të rregullt në mënyrë që të ketë debat dhe analizë të mirëfilltë për secilën prej tyre”, ka thënë Tahiri.

Si pika të rendi të ditës është paraparë Votimi i Projektligjit nr. 10/L-015 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Sektorit Financiar të Kosovës, Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-016 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika, Shqyrtimi i Projektligjit nr. 10/L-017 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe KfË, Frankfurt am Main, për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika në sektorin e Energjisë dhe Klimës për Kosovën, Shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-018 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0.