Zgjedhjet e 28 dhjetorit mund të mos kenë prodhuar zgjidhje.
Përkundër që Lëvizja Vetëvendosje i mori mbi 51 për qind të votave, vendi mund të futet në një krizë të re, pasi pak muajsh Kuvendi i Kosovës do të votoj për zgjedhjen apo jo të presidentit të vendit, pasi që mandati i Vjosa Osmanit skadon.
Osmani me ton kërcënues iu drejtua partive nëse nuk e votojnë për presidente përsëri.
“Nëse s’më doni presidente, do të më keni përballë në zgjedhje”, tha ajo në Kiks Kosova ditë më parë.
Por, ky ton kërcënues duket se nuk i ka kryer punë shumë.
Dy partitë më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK kanë dhënë sinjalet e para se nuk do të votojnë një kandidat për president pa marrëveshje politike.
Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Bernard Nikaj, ka deklaruar se PDK nuk do të votojë asnjë kandidat për president pa një marrëveshje apo diskutim politik paraprak.
“Edhe në vitin 2021, Partia Demokratike e Kosovës ka refuzuar të votojë vetëm për një kandidat të cilin e propozon z. Kurti pa një marrëveshje ose diskutim politik. Edhe kësaj radhe nuk ka asnjë arsye që ne, pa një diskutim politik apo dakordim, të shantazhohemi ose të kërcënohemi në votimin e cilitdo kandidat”, tha Nikaj në Klan Kosova sonte.
Një qëndrim pak a shumë të njëjtë e pati edhe LDK-ja, që kishte votuar Osmanin për presidente në vitin 2021, pa marrëveshje politike me Lëvizjen Vetëvendosje.
Nënkryetari i këtij subjekti, Lutfi Haziri në Debat Plus ditë më parë kishte thënë se pa marrëveshje politike, LDK nuk jep votë “bllanko”.
“Pa një marrëveshje politike, LDK nuk ka për të vepruar më asnjëherë. Herën e kaluar kemi vepruar njëanshëm – kemi dhënë mandat dhe mbështetje politike, dhe për pesë vjet po presim mirënjohje nga kryetarja e shtetit. Nëse kryetarja e shtetit falënderon, vlerëson dhe e kthen mbrapa këtë mbështetje – e cila më 28 dhjetor nuk u pa fare – atëherë kjo do të kishte kuptim. Sepse premtimi i saj ka qenë të bëhet gardiane e Republikës përmes Kushtetutës. Ne nuk kemi kërkesa të tjera, përveç që të ruhet Republika përmes Kushtetutës”., kishte deklaruar Haziri.
I pari i VV-së, Albin Kurti pasi kishte fituar zgjedhjet kishte thënë se pas formimit të qeverisë së re do të bisedoj me Vjosa Osmanin për çështjen e presidentit.










