Pazari ilegal i drunjve me çmime në hava

Ditën kur i riu i familjes Agushi u kap duke zbritur nga bjeshkët e Jezercit me traktor të mbushur me drunj, ai u përpoq ta zhbënte dyshimin me një fjali të thjeshtë.

Por në një zonë ku drunjtë po rrallohen nga dita në ditë dhe heshtja mbulon çdo prerje, pamja që do shihni në video nuk ishte aq e pafajshme sa u përpoq të tingëllonte. Prandaj, për të marrë përgjigjen e sinqertë se ku po shkojnë drunjtë të cilët po prehen ilegalisht në malet e Jezerecit, Kiksi përveshi mëngët.

Gazetari i Kiksit e telefonoi një anëtar tjetër të familjes Agushi. Xhaxhait të Hajrizit, Milaimit, gazetari iu prezantua si blerës, i interesuar për të blerë drunj, me kërkesë specifike, të prerë në Jezerec, në pronën shtetërore.

Pa asnjë hezitim, Milaimi dha ofertën e tij për shitjen e 20 metrave.

Gjatë bisedës, ai ia konfirmoi emisionit se drunjtë janë prerë në pronën shtetërore në Jezerc.

Më 7 maj, Kiksi shkoi sërish në Jezerc dhe e telefonoi numrin e njëjtë me të cilin gazetari bëri pazar për 20 metra dru.

Në telefon u përgjigj i biri i Milaimit, Egzoni, i cili i tha emisionit se drunjtë po i shesin për kafshatën e gojës.

Ai i tha Kiksit se do e pres për intervistë, por nuk doli në vendtakim e më pas nuk iu përgjigj thirrjeve të emisionit.