Pavarësisht zgjedhjeve, statistikat nuk tregojnë rritje të madhe të fluksit kufitar

Edhe pse viti 2025 është vit zgjedhor dhe zgjedhjet nacionale po mbahen vetëm pak ditë para ndërrimit të viteve, qytetarët e Kosovës nuk po kthehen në numër shumë të madh se zakonisht, duke mos reflektuar ndonjë mobilizim të veçantë të lidhur me procesin zgjedhor. Të dhënat zyrtare tregojnë se lëvizjet në hyrje dhe dalje të vendit po ndjekin të njëjtin trend si çdo vit tjetër, të ndikuara kryesisht nga kthimi tradicional i mërgatës për festat e fundvitit, e jo nga dinamika politike apo zgjedhore, shkruan Demokracia.com.

Bazuar në të dhënat nga Sistemi i Menaxhimit të Integruar dhe raportimet e pranuara nga rajonet përkatëse, lëvizja e qytetarëve në hyrje dhe dalje të Republikës së Kosovës gjatë periudhës 15–21 dhjetor 2025 nuk paraqet rritje të jashtëzakonshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndonëse ky vit është zgjedhor. Rritja është pak me madhe.

Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Kosovës dërguar Demokracia.com, gjatë kësaj jave janë regjistruar rritje graduale të hyrjeve dhe daljeve, veçanërisht nga data 18 dhjetor e tutje, megjithatë kjo rritje konsiderohet brenda parametrave normalë sezonalë, të ngjashme me trendin e viteve të kaluara në prag të festave të fundvitit.

Në krahasim me dhjetorin e vitit 2024, të dhënat e këtij viti tregojnë se:

Më 19, 20 dhe 21 dhjetor 2025 është regjistruar numër më i lartë i hyrjeve, me kulmin më 21 dhjetor, ku janë evidentuar mbi 90 mijë hyrje, krahasuar me rreth 70 mijë hyrje në të njëjtën datë të vitit të kaluar.

Edhe numri i daljeve ka shënuar rritje të lehtë, por pa devijime të theksuara që do të sugjeronin mobilizim të pazakontë të qytetarëve.

Megjithëse ka diferenca numerike në disa ditë, struktura e lëvizjes mbetet e ngjashme me vitin paraprak, me rritje progresive drejt fundjavës, çka është tipike për këtë periudhë të vitit.

Edhe pse zgjedhjet nacionale mbahen më 28 dhjetor, vetëm pak ditë para ndërrimit të viteve, të dhënat nuk dëshmojnë ndonjë fluks të madh që mund të lidhet drejtpërdrejt me procesin zgjedhor. Përkundrazi, lëvizjet në pikat kufitare tokësore dhe ajrore përkojnë me dinamikën tradicionale të kthimit të mërgatës për festat e fundvitit.

Policia e Kosovës ka theksuar se të dhënat përfshijnë të gjitha pikat kufitare, si ato tokësore ashtu edhe ajrore, dhe janë përpunuar në bazë të raportimeve zyrtare nga rajonet kufitare. /Demokracia.com/

Lexo edhe:

S’ka fluks të pasagjerëve në fundit në Aeroportin “Adem Jashari”, lëvizje normale edhe para zgjedhjeve