Kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Patriarku Porfirije, në një letër drejtuar liderëve botërorë, u ka kërkuar “që ta përdorin autoritetin e tyre” ashtu që Kosova të pezullojë implementimin e Ligjit për të huajt.
Sipas njoftimit nga kjo kishë, Porfirije u ka shkruar Papa Leonit XIV, presidentit rus Vladimir Putin, atij amerikan Donald Trump, francezit Emmanuel Macron, kryeministres italiane Giorgia Meloni e kryeministrit britanik, Kier Starmer. Letra u është dërguar edhe kancelarit gjerman Friedrich Merz, sekretarit të Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres e drejtorit të përgjithshëm të UNESCO-s, Khaled El Enani.
Pa përmendur ndonjë argument bazik, ai ka kërkuar që këta zyrtarë të përdorin autoritetin ashtu që “Prishtina të ndalë implementimin e ligjit ekstremisht diskriminues”.
Sipas tij, ky ligj prek angazhimin e studentëve e nxënësve në veri që ndjekin mësimin në kuadër të programit shtetëror serb, por edhe sistemin shëndetësor të serbëve në Kosovë.
Po ashtu, ai ka pretenduar se implementimi i këtij ligji do të çonte në largim të serbëve nga Kosova.
“Serbët do të humbnin shansin për t’u arsimuar e trajtuar, dhe punonjësit në arsim e shëndetësi do të humbnin vendet e tyre të punës, që do të çonte në largim masiv, nëse jo të fundit, të ortodoksëve serbë nga ky vend shekullor i krishterë, ku deri më sot, rreth 1300 kisha, manastire e vende të tjera të shenjta ortodokse janë shkatërruar”, thuhet në letrën e tij.
Ligji për të huajt është miratuar më 2013. Ai për automjetet më 2017. Zbatimi i tyre u paralajmërua për fundin e vitit të kaluar, ndërsa më pas u shty për janar. Autoritetet e Kosovës kanë zhvilluar fushatë informuese për disa javë në atë periudhë. Pas kësaj, u shty sërish deri më 15 mars.
Në kuadër të kësaj fushate, Policia dhe Ministria e Punëve të Brendshme që nga 15 janari kanë lëshuar fletushka dhe njoftime për publikun në gjuhët shqipe, serbishte dhe anglishte, ndërsa kryeministri Albin Kurti i pati njoftuar edhe ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në Kosovë lidhur me nismat ligjore.
Ministria e Punëve të Brendshme, pas nisjes së zbatimit të Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjete, pati ka publikuar një dokument udhëzues për informimin e shtetasve të huaj për detyrimet ligjore gjatë hyrjes, qëndrimit dhe punësimit në Republikën e Kosovës.
Në njoftimin thuhej se me rastin e hyrjes në Republikën e Kosovës, i huaji duhet: të posedojë dokument të vlefshëm udhëtimi; të posedojë vizë ose leje qëndrimi, kur kërkohet; të respektojë qëllimin dhe afatin e qëndrimit; të lajmërojë adresën e qëndrimit në afat prej tri (3) ditësh nga dita e hyrjes, në kufi apo në stacionin më të afërt policor; të ketë mjete të mjaftueshme për jetesë; të respektojë ligjet e Republikës së Kosovës; të mos ketë ndalim të hyrjes dhe qëndrimit në Republikën e Kosovës; të mos përbëjë kërcënim për sigurinë shtetërore, rendin dhe shëndetin publik.
Në rast të qëndrimit afatshkurtër thuhet se: I huaji mund të qëndrojë deri në 90 ditë brenda periudhës kohore prej 180 ditësh pa vizë ose me vizë kur kjo kërkohet. Gjatë kësaj periudhe thuhet se nuk i lejohet puna/punësimi pa leje pune dhe se çdo qëndrim mbi 90 ditë kërkon aplikim për lejeqëndrim.
“Me rast të qëndrimit në Republikën e Kosovës për çështje punësimi: kërkohet leje qëndrimi e përkohshme për punë; kërkohet leje pune; kërkohet licencim paraprak në rast të aplikimit për leje pune për profesionin që kërkon licencë; puna pa leje është e ndaluar. Aplikimi për leje të punës bëhet pranë Agjencisë së Punësimit”, thuhet në njoftim.
Ministria pati dhënë sqarime dhe për qëndrimin në Kosovë për qëllime të tjera.
“Për çështje studimi, ribashkimi familjar ose arsye tjera humanitare, kërkime shkencore dhe rrethana tjera të parapara me ligj, kërkohet: pajisja me lejeqëndrim të përkohshëm dhe plotësimi i kritereve tjera ligjore në varësi nga qëllimi i qëndrimit. Aplikimi mund të bëhet në misione diplomatike/konsullore ose në DSHAM, në rastet kur i huaji ka hyrë në Republikën e Kosovës dhe nuk ka nevojë për vizë”, thuhet në njoftim.
Atëherë kur nuk veprohet në pajtim me përcaktimet ligjore që lidhen me hyrjen, lëvizjen, qëndrimin dhe punësimin e të huajve, autoritetet kompetente thuhet se mund të marrin masat e përcaktuara me ligj, të cilat mund të përfshijnë por nuk kufizohen në: “anulimin e lejeqëndrimit, shqiptimin e gjobës, urdhërimin e largimit dhe ndalimin e hyrjes në territorin e Republikës së Kosovës”.
Ligji për të huajt parasheh se të gjithë ata që nuk posedojnë dokumente të Kosovës, do të duhet të aplikojnë për leje qëndrimi brenda 72 orëve. Ndërkaq ai për automjetet specifikon që të gjitha veturat me targa të huaja nuk mund të qarkullojnë në vend më shumë se tre muaj ose mbi bazën e autorizimit.
Nga këto politika, më së shumti pritet të preken shtetasit e Serbisë dhe ata të Shqipërisë.
Këto ligje janë kundërshtuar nga autoritetet në Serbi dhe nga Lista Serbe.
E subjekti opozitar në Serbi, Partia e Re Demokratike, ka paralajmëruar për të shtunën protestë nga Rashka në Jarinjë me sloganin: “Serbët nuk janë të huaj brenda shtetit të tyre”.
“Me rastin e fillimit të zbatimit të Ligjit për të Huajt, të miratuar nga institucionet e përkohshme në Prishtinë, i cili – sipas këtij mesazhi – është i drejtuar kundër popullit serb që jeton në Kosovë, ju ftojmë të gjithëve në një tubim mbështetjeje për të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë! Tani ata kanë nevojë për ne më shumë se kurrë!”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.
Ky subjekt ka paralajmëruar bllokim dyorësh të qarkullimit në pikën kufitare Jarinjë, duke nisur nga ora 12 e 44, si referencë për rezolutën 1244 të OKB-së për Kosovën.
Kundërshtimet nga Serbia për ligjet ndërlidhen me çështjen se në veri ka ende banorë serbë që nuk janë pajisur me dokumente të Kosovës, e edhe shtetas të Serbisë që punojnë në Kosovë e që do të detyrohen të marrin leje pune nga institucionet e Kosovës.
Një tjetër shkak është prania e madhe e veturave me targa të Serbisë, e të cilat, banorë në veri do të detyrohen t’i nxjerrin nga vendi, çdo tre muaj.










