“Pastrimi” ndal mbeturinat: S’ka naftë, Komuna s’ka paguar asnjë cent

Shërbimet e grumbullimit të mbeturinave në Prishtinë pritet të ndalen, pasi kompania publike “Pastrimi” ka mbetur pa naftë dhe pa asnjë pagesë nga Komuna e Prishtinës. Për shkak të një borxhi që kap vlerën mbi 2.7 milionë euro, kompania ka paralajmëruar ndërprerje të shërbimeve, duke akuzuar kryetarin Përparim Rama për neglizhencë të qëllimshme dhe lojëra politike që po rrezikojnë pastërtinë dhe shëndetin publik në kryeqytet, shkruan Demokracia.com.

Kompania publike “Pastrimi” ka reaguar ashpër ndaj Komunës së Prishtinës dhe kryetarit Përparim Rama, duke e akuzuar për mospagesë të shërbimeve të mbeturinave dhe bllokim të qëllimshëm të pastërtisë dhe shëndetit publik në kryeqytet.

Sipas një komunikate të publikuar nga ndërmarrja, Komuna e Prishtinës nuk ka paguar asnjë cent për shërbimet e kryera nga “Pastrimi”, ndërkohë që borxhi ndaj saj ka kaluar shifrën e 2.7 milionë eurove.

“Rrjedhimisht me këtë, KRM ‘Pastrimi’ nuk po arrinë të kryejë obligimet ndaj pagesave të naftës, dhe si pasojë nuk do të mund të vazhdojë as shërbimi për grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë. Për arsye se na është ndalë furnizimi me naftë,” thuhet në reagim.

Kompania thekson se ka bërë tri marrëveshje me Komunën për t’i dhënë zgjidhje krizës, por se ato janë shpërfillur, ndërsa fondet janë bllokuar.

Madje, “Pastrimi” e akuzon Komunën e Prishtinës se ka mbledhur në mënyrë të kundërligjshme mbi 600 mijë euro nga qytetarët, të cilat nuk i ka transferuar te ndërmarrja publike. “Në anën tjetër nuk ka lejuar as qytetarët të paguajnë në Pastrim”, thuhet në komunikatë.

Kompania e quan këtë jo vetëm një “bllokim financiar”, por një sulm të drejtpërdrejtë ndaj higjienës dhe shëndetit të qytetarëve të Prishtinës.

“Përderisa Kryetari Rama zgjedh të bëjë lojëra politike dhe hap rrugën për tenderë të dyshimtë që rrezikojnë falimentimin e ndërmarrjes publike, ne theksojmë se shërbimet bazike nuk mund të kryhen pa mjete”, thuhet më tej.

Në një ton të ashpër e përçmues, kompania i bën thirrje kryetarit Rama të ndalë propagandën dhe të kryejë detyrimin bazik ndaj qytetarëve e punëtorëve.

“Kryetar, lëri lojërat politike! Nuk kemi nevojë për ndihmë, po kemi nevojë të na paguani borxhin që keni ndaj nesh për shërbimin që jemi duke e bërë. Mos luani as me ndjenjat e punëtorëve, as mos rrezikoni shëndetin e qytetarëve!”. /Demokracia.com/