Ndërmarrja publike “Pastrimi” po kërkon ndërhyrjen urgjente të Prokurorisë së Shtetit, pasi Komuna e Prishtinës u ka bërë thirrje qytetarëve që pagesat për shërbimet e pastrimit të mos i bëjnë më në ndërmarrje, por në arkën komunale. Sipas “Pastrimit”, ky vendim është i jashtëligjshëm dhe bie ndesh me rregulloret në fuqi, duke e vendosur ndërmarrjen në një pozitë të rrezikuar financiarisht dhe ligjërisht, shkruan Demokracia.com.
Komuna e Prishtinës, përmes një komunikate zyrtare, u ka bërë thirrje qytetarëve që këto pagesa të realizohen në zyrat e saj, ndërsa atyre që tashmë kanë kryer pagesa te kompania u kërkohet të ruajnë dëshmitë përkatëse, meqë ato do të konsiderohen të vlefshme.
Por një vendim i tillë është kundërshtuar ashpër nga kompania “Pastrimi”, e cila e ka cilësuar si të njëanshëm, të jashtëligjshëm dhe me prapavijë të dyshimtë. Në një reagim të menjëhershëm, kjo ndërmarrje publike ka kërkuar ndërhyrjen e Prokurorisë së Shtetit dhe të organeve hetimore për, siç thuhet, “të ndalur këtë praktikë të paligjshme që rrezikon funksionimin institucional”.
Sipas “Pastrimit”, vendimi i Komunës bie ndesh me Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave – një dokument zyrtar i miratuar nga vetë Kuvendi Komunal – që përcakton se faturimi dhe pagesa e mbeturinave duhet të bëhet në kompaninë publike që ofron këto shërbime.
“Po përballemi me vendime arbitrare që jo vetëm rrezikojnë stabilitetin financiar të ndërmarrjes, por edhe vazhdimësinë e shërbimeve për qytetarët. Kjo nuk është më vetëm çështje teknike, por një përpjekje e qartë për të dëmtuar një ndërmarrje publike me kapacitete të dëshmuara, dhe ndoshta për t’i hapur rrugë tenderëve të dyshimtë me operatorë privatë”, thuhet në komunikatën e “Pastrimit”.
Në këtë reagim, kompania shpreh edhe dyshime për një skenar më të gjerë: “Përpjekjet për ta përjashtuar ‘Pastrimin’ nga procesi i mbledhjes së pagesave për shërbimet që vetë i ofron, lënë hapur dyshimin se pas këtij vendimi qëndron një tendencë për privatizim të shërbimeve të pastrimit nëpërmjet kontratave shumëmilionëshe”.
Ndërkohë, qytetarëve u mbetet të lundrojnë mes dy autoriteteve Komunës dhe “Pastrimit”. /Demokracia.com/