“Pastrimi” fajëson Komunën për krizën financiare dhe borxhin prej 2.7 milionë eurosh

Ndërmarrja Publike “Pastrimi” Sh.A. ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të Kryetarit të Kryeqytetit, Përparim Rama, lidhur me gjendjen financiare dhe menaxhimin e ndërmarrjes, duke i cilësuar ato si të pasakta dhe duke sqaruar se problemet financiare kanë ardhur si pasojë e moszbatimit të rregullores komunale për pagesat e mbeturinave.

Sipas reagimit, rregullorja e miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës parashikon që pagesat për shërbimet e mbeturinave të derdhen drejtpërdrejt në llogarinë e kompanisë “Pastrimi”. Megjithatë, udhëzimet publike nga Komuna që qytetarët të mos paguajnë në ndërmarrje, por në Komunë, kanë rezultuar në pamundësinë për të arkëtuar të hyrat e nevojshme për operim. Si pasojë, që nga janari i këtij viti, borxhet e papaguara kanë arritur vlerën e 2.7 milionë eurove.

“Pastrimi” njofton se më 2 maj 2025, Kryeshefi Ekzekutiv i ndërmarrjes i është drejtuar zyrtarisht Kryetarit të Komunës me kërkesë për zbatim të rregullores në fuqi, duke e informuar edhe institucionet kompetente, dhe ka shprehur gatishmëri për gjetjen e një zgjidhjeje institucionale dhe të qëndrueshme.

Ndërmarrja po ashtu ka reaguar ndaj kritikave për menaxhimin e brendshëm, duke theksuar se raporti i fundit i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) e ka vlerësuar atë me opinion të pamodifikuar për pasqyrat financiare – vlerësimi më i lartë sipas standardeve ndërkombëtare të auditimit. Pasqyrat financiare për vitin 2024 tregojnë se nga një bilanc negativ prej -1.5 milionë euro në vitet e mëparshme, ndërmarrja ka kaluar në një fitim bruto prej 5%.

Megjithë këto rezultate, “Pastrimi” paralajmëron se, për shkak të borxheve të papaguara dhe mungesës së të hyrave, ka vështirësi serioze për të përmbushur një pjesë të obligimeve financiare.

Në fund, ndërmarrja shpreh përkushtimin për të vazhduar ofrimin e shërbimeve cilësore dhe thërret për bashkëpunim institucional në mënyrë që të tejkalohen sfidat aktuale dhe të garantohet funksionimi i qëndrueshëm i ndërmarrjeve publike. /Demokracia.com/

Postimi plotë