Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Nevzad Lutfiu ka ngritur alarmin për një situatë shqetësuese në komunat me shumicë shqiptare në Serbi.
Ai ka bërë të ditur se gjatë periudhës janar-korrik 2025 janë pasivizuar gjithsej 200 adresa në Preshevë dhe Bujanoc, duke e quajtur këtë një formë të “spastrimit të pastër etnik”.
“Më datë 04.08.2025, i kërkova qasje në informacione nga stacionet policore në Bujanoc dhe Preshevë, me pyetjen: Sa adresa janë pasivizuar në këto dy komuna, nga janari deri në korrik 2025?”, shkruan Lutfiu në një postim.
Ai ka marrë përgjigjen me shkrim ku thuhet se janë pasivizuar 174 adresa në Preshevë dhe 26 në Bujanoc.
Lutfiu shpreh dyshim për saktësinë e të dhënave për Bujanocin, duke thënë se është në pritje të një përgjigjeje tjetër për ta vërtetuar.
“Përgjigjen me shkrim e mora dje: gjatë periudhës së lartpërmendur, në Komunën e Preshevës janë pasivizuar 174 adresa, ndërsa në Komunën e Bujanocit 26 adresa. Dyshoj se të dhënat për Komunën e Bujanocit janë të sakta (jam në pritje të një përgjigjeje tjetër për ta vërtetuar). Sidoqoftë, në total, brenda 7 muajve, në këto dy komuna me shumicë shqiptare janë pasivizuar 200 adresa”, ka shkruar Lutfiu.
Ai ka shtuar se ajo që po ndodh është racizëm, një spastrim i pastër etnik.
“U bëj thirrje të gjithë akterëve politikë shqiptarë që të mblidhen për t’u koordinuar dhe për të bashkëvepruar,” përfundon ai.
Pasivizimi i adresave në Luginë të Preshevës ka qenë vazhdimisht në qendër të kritikave nga organizata vendore dhe ndërkombëtare. /Telegrafi/
The post Pasivizohen 200 adresa në Preshevë e Bujanoc brenda 7 muajve, Lutfiu: Ky është spastrim i pastër etnik appeared first on Kosovapost.net.