Erling Haaland është sinonim i fuqisë, shpejtësisë dhe saktësisë në fushën e blertë. Jashtë saj, sulmuesi i Manchester City ka një pasion po aq të zjarrtë; makinat luksoze. Nuk po flasim për një hobi të zakonshëm, sepse norvegjezi e ka kthyer dashurinë për automjetet në një koleksion superluksoz, ku vetëm këtë vit ka shpenzuar mbi 5 milionë euro.
Në moshën 25-vjeçare, Haaland jo vetëm udhëheq sulmin e njërit nga ekipet më të mira në botë, por ka edhe një koleksion supermakinash, që konkuron me ato të çdo manjati të automobilizmit. Së fundmi, ai ka blerë “Ford Shelby F-150 Super Snake Sport”, një makinë monstruoze me motor V8 5 litra, që shpejton nga 0 në 100 km/h në vetëm 3.4 sekonda, e vlerësuar mbi 200.000 euro. Një automjet i tillë nuk kalon pa u vënë re, ashtu si vetë Haaland, i cili tërheq vëmendje edhe jashtë fushës së lojës.
Garazhi milioner
Këtë javë, Haaland ka mbërritur në stërvitje me “monster truck” e tij të ri, pjesë e një flote makinash mbresëlënëse. Pas nënshkrimit të kontratës më të madhe në historinë e Premier League, norvegjezi i ka rritur investimet e tij në makinat luksoze. Së fundmi, ai ka shtuar në koleksion:
“Porsche 911 GT3” portokalli.
“Ferrari 812 Superfast” i verdhë (rreth 350.000 euro).
“Aston Martin DBX” 4×4, me vlerë rreth 400.000 euro.
Suksesi i madh erdhi në bashkëpunim me milionerin Ole Ertvaag. Së bashku blenë “Bugatti Tourbillon”, një perlë inxhinierike me vlerë mbi 5 milionë euro. Vetëm 250 njësi të këtij modeli janë prodhuar, me motor V16 hibrid 1.800 kuaj fuqi, që përshpejton nga 0 në 100 km/h në vetëm 2 sekonda, ndërsa deri në 200 km/h në 5 sekonda. Me dyer “butterfly” dhe dizajn futuristik, kjo makinë është ëndërr për çdo koleksionist.
“Motori” nuk pushon kurrë
Ndërsa Haaland përgatitet për sezonin e ri me Manchester City, jeta e tij jashtë fushës vazhdon të jetë po aq dinamike sa ajo brenda saj. Sulmuesi i fuqishëm, i shpejtë dhe pa limite, vazhdon të fitojë edhe jashtë fushës, duke investuar në pasionet që reflektojnë personalitetin e tij.
Këtë fundjavë pritet të jetë vendimtar me debutimin e tij kundër Wolves, teksa “citizens” do të kërkojnë të rikthehen në fronin e Premier League. Në fushë, gjithçka tregon se “motori” i Haaland është po aq i përkryer sa i makinave të tij.
The post Pasioni i zjarrtë i Haaland kushton, mbi 5 milionë euro për makina luksoze në vetëm një vit appeared first on Telesport.