Manipulimet digjitale dhe dezinformacioni më së shpeshti përbirohen në mjedise të sakatosura nga paqëndrueshmëria politike. Gjetjet e fundit të Balkan Free Media Initiative dëshmojnë se sprovat e Kosovës janë të ngjashme me ato që po përballen shtetet evropiane. Manipulimet digjitale më tepër mundësohen nga dobësitë strukturale të platformave sociale sesa nga një akter i vetëm gjeopolitik. Megjithëse Kosova ka prani ndërkombëtare, kjo në vetëvete nuk përbën siguri të mjaftueshme. “Prania e misioneve ndërkombëtare adreson dimensione të tjera të stabilitetit, por nuk e zëvendëson transparencën dhe mbikëqyrjen transparente që ende mungojnë në sferën digjitale”, ka thënë për NACIONALE-n eksperti i mediave nga Londra, Peter Horrocks. Sipas tij, edhe nëse partia politike në pushtet nuk ka vullnet, Kosova duhet të ngulmojë për transparencë në platformat sociale e për mekanizma të pavarur për mbikëqyrje të eksosistemeve digjitale.
Col MEHMETI
26 nëntor 2025 – Algoritmet e shndërruara në armë mund ta riformësojnë rrjedhën e historisë.
Siç dëshmoi rasti i vitit të kaluar me Rumaninë, manipulimet algoritmike mund t’i bëjnë më shumë zarar procesit zgjedhor sesa mashtrimet klasike.
Edhe përvoja e sivjetme e Kosovës gjatë zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit – ku u pikasën përpjekje të fushatave të orkestruara në media sociale si TikToku – mund të bëhet sebep për një debat të gjerë në Evropë.
Fakti se Kosova ka prani solide të misioneve ndërkombëtare, kjo nuk përkthehet nevojisht në qëndrueshmëri kundrejt sfidave të dezinformacionit dhe manipulimeve algoritmike.
I dritësuar javën e kaluar, raporti i fundit i Balkan Free Media Initiative (BFMI) sipërfaqësoi se në zgjedhjet e sivjetme të shkurtit janë vënë në përdorim fushata të organizuara manipulimi e teknika amplifikimi në platformën sociale TikTok.

Ndër gjetjet kryesore të këtij studimi ishte përdorimi i metodës manipuluese ‘Fire Hose’ me anë të së cilës u afishuan vëllime marramendëse postimesh e komentimesh të sinkronizuara e me uzurpime hashtagësh.
Vetëvendosja del t’ia ketë parë më së shumti hajrin influencerëve e llogarive të ndryshme në TikTok, të cilat mes datave 8 dhe 10 shkurt afishuan 18,640 video.
Lexo edhe: Po vjen era Kremlin? Manipulimi i frikshëm algoritmik i VV-së në zgjedhjet e sivjetme
Horrocks: “Pasiguria po ndërthuret me hapësirat e parregulluara digjitale”
Dallga e aktiviteteve të tilla në fushatën e sivjetme ishte e ngjashme me atë që po vihet re gjithandej Evropës.
Kështu ka thënë në një bashkëbisedim për NACIONALE-n Peter Horrocks si njëri nga bashkëthemeluesit e Balkan Free Media Initiative.
Teknikat e përdorura ngërthejnë vëllime të mëdha postimesh, reciklim të shpejtë të përmbajtjeve të formatit të shkurtër, kohëzim të bashkërenduar dhe përdorim të influencerëve për të ngacmuar vëmendje.
“Këto metoda nuk janë vetëvetiu as të jashtme e as vetëvetiu të brendshme. Ato më së miri kuptohen si pjesë e një ekosistemi më të gjerë në të cilin akterë të ndryshëm, me kapacitete mjaft të ndryshme, janë në gjendje të marrin hua nga i njëjti doracak”, ka thënë Horrocks.
Duke folur mbi studimin e fundit të BFMI-së, ai ka thënë se me të nuk ka qenë qëllimi për të qëmtuar përgjegjësinë te qeveri të caktuara apo formacione politike, dhe se dëshmitë e mbledhura nuk mundësojnë për të nxjerrë përfundime mbi ndërhyrje të jashtme.
“Ajo çfarë mund të themi me siguri është se prirjet që vumë re në Kosovë u ngjajnë atyre që shfaqen në shtete të vogla ose të mesme evropiane ku pasiguria ndërthuret me hapësirat e parregulluara digjitale. Në këso kontekste, është dobësia strukturore e platformave që i krijon këto hapësira, më shumë sesa ndonjë akter i caktuar gjeopolitik”, ka thënë Horrocks i cili ishte njëri nga konceptuesit dhe zhvilluesit e raportit të BFMI-së.
Kapacitete të kufizuara për t’iu përgjigjur ndryshimeve në sjelljen algoritmike
Rasti i Kosovës prima facie duket paradoksal kur ndërmendet fakti që vendi ka mbulueshmëri edhe nga misione ndërkombëtare si NATO e EULEX-i.
Por, sipas ekspertit londinez të mediave, prania e misioneve ndërkombëtare nuk sjell automatikisht qëndrueshmëri edhe në truallin e informacionit.
“Brishtësitë që i përshkruajmë rrjedhin nga arkitektura e vetë platformave dhe nga kapaciteti i kufizuar i demokracive të vogla për të hulumtuar ose për t’iu përgjigjur ndryshimeve në sjelljen algoritmike”.
Sipas tij, edhe TikToku, njësoj si platformat e tjera të mëdha, e përshtat investimin duke e moderuar dhe mbikëqyrur sipas madhësisë së tregut, mbulimit gjuhësor dhe përparësive komerciale.
Për më tepër, kontekste të brendshme e të jashtme e bëjnë Kosovën më të ekspozuar ndaj prirjeve të papritura ndikuese.
“Mjediset e vogla gjuhësore e politike shpesh marrin vëmendje minimale, që i bën ato më të brishta ndaj valëve të papritura të përmbajtjeve tejet të optimizuara”, ka theksuar Horrocks.
“Kjo është pjesë e një prirje më të gjerë që prek shtetet ku burimet institucionale janë të tendosura dhe ku ndërveprimi me platforma është intenziv, porse kuadri qeverisës është ende në pjekuri e sipër. Prania e misioneve ndërkombëtare adreson dimensione të tjera të stabilitetit, por nuk e zëvendëson transparencën dhe mbikëqyrjen transparente që ende mungojnë në sferën digjitale”.
Shtetet e vogla më të ndjeshme ndaj turbullirave algoritmike
Horrocks, i cili ka qenë drejtor në BBC World Service, ka sqaruar se studimi qëllimisht i është shmangur atribuimit të ndonjë qëllimi a strategjie te parti apo liderë të caktuar.
Në vend të kësaj, sipas tij, studimi është përqëndruar në identifikimin e sjelljeve që mund ta shtrembërojnë debatin publik.
“Ajo çfarë kundruam gjatë periudhës më të fundit të aktivitetit të dendur ishte një përqëndrim i rrjedhjes së pazakontë të vëmendjes përreth grupeve të caktuara të llogarive, që në praktikë dukeshin se ishin për hesap të një akteri politik më shumë se të tjerëve. Sidoqoftë, kjo nuk e ndryshon poentën thelbësore se ekzistojnë dobësi në nivel të platformës, e jo në nivel të një partie të caktuar”, ka thënë ai.

Bashkëthemeluesi i BFMI-së, për këto arsye, ka propozuar masa sistemike, si detyrime më të forta të transparencës për platformat, mekanizma të pavarur të mbikëqyrjes së eksosistemeve digjitale dhe një qëndrueshmëri të përmirësuar publike, “edhe sikur partia në pushtet të mos jetë e prirur për t’i ndjekur ato”.
“Në fakt, qëllimi i rojtarëve institucionalë është të sigurohet që integrimi i hapësirës informative të mos varet nga vullneti i një akteri të caktuar politik për ta rregulluar veten”.
Rasti i Kosovës, së paku nga gjetjet e raportit të fundit dhe syzimeve të tjera të ngjashme, përmban sprova që po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme në Evropë.
Sipas Horrocksit, “shtetet e vogla, sidomos ato në mjedise komplekse gjeopolitike, shpesh përjetojnë më fort pasojat e turbullirës algoritmike për shkak se shkalla e sferës publike digjitale i bën ato më të ndjeshme ndaj ndryshimeve të papritura në mobilizimin online”.
Përvoja e Kosovës i shërben debatit gjithevropian
Vjet e sivjet, Moldavia mori vëmendjen e gjithë Bashkimit Evropian për shkak se u rrezikua seriozisht nga fushatat dezinformuese e sulmet hibride me prejardhje nga Rusia.
Shi për këtë, Shërbimi Evropian për Aksion të Jashtëm (EEAS) e mori Moldavinë në prehrin e vet të sigurisë përmes ofrimit të ndihmave të nduarnduarta.
“Nëse EEAS-i zgjedh të angazhohet me Kosovën në një mënyrë të ngjashme me qasjen e tij në Moldavi është vendim politik, por nga një anëpamje kërkimore prirjet e dukshme në Kosovë janë qartazi pjesë e një sprove të gjërë evropiane”, ka theksuar Horrocks.
“Debati për përgjegjësinë e platformave digjitale, integritetin zgjedhor dhe qeverisjen algoritmike nuk mund të adresohet vetëm në nivel kombëtar. Pëvoja e Kosovës kontribuon me dëshmi të çmuara në këtë kuvendim të gjerë”.
Gjetjet e raportit të BFMI-së kanë ngallmuar së fundmi diskutime edhe brenda Kosovës.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, u ka rënë kambanave të alarmit se dezinformacioni, polarizimi dhe sulmet ndaj normave demokratike po kërcënojnë themelet e besimit qytetar në Kosovë.
Në Samitin e Paqes dhe Demokracisë në Kosovë (KPDS) me temën “Çrregullim i ri botëror: dezinformim, mosbesim dhe shkërmoqje e normave demokratike”, ai ka thënë se dezinformacioni në gjuhën shqipe përhapet kryesisht përmes rrjeteve sociale.
“Si rrjedhojë, hapësira informative e Kosovës mbetet e cenueshme ndaj manipulimit dhe ndikimit të jashtëm”, ka thënë Orav.
Edhe nga misioni i OSBE-së në Kosovë, gjatë një prononcimi për NACIONALE-n, ka thënë se për këto sfida që e tejkalojnë Kosovën kërkohet “përpjekje mbarëshoqërore”.










