Pas aktit të njëzet e katërt të tragjikomedisë parlamentare dje, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherësh kryetar i kësaj partie, artikuloi akuzën e radhës ndaj subjekteve të tjera parlamentare, teksa synon të kapitalizojë politikisht mbi ngërçin institucional të mungesës së konstituuimit të Kuvendit; akuzë për patriarkalizëm, e lidhur me refuzimin për të votuar Haxhiun si kryeparlamentare. Për partitë e tjera, deklarata e Kurtit përbën “propagandë” të radhës nga i njëjti pushtet që shkarkoi dhe sulmoi brutalisht gra në pozita kyçe shtetërore.
Në një adresim të mbajtur para grave aktiviste të partisë së tij, Kurti akuzoi opozitën për mbajtjen gjallë të “strukturave hierarkike, patriarkale dhe të prapambetura”, ndonëse nga PDK, LDK dhe AAK kanë qartësuar tashmë pozicionet rreth çështjes së kandidatit për kryeparlamentar të propozuar nga kjo parti.
“Të nderuara delegate, më duhet të flas edhe për situatën politike në të cilën ndodhemi. Sepse kjo situatë reflekton përballjen me struktura hierarkike, patriarkale, të prapambetura. Përderisa ne si Qeveri angazhohemi për ditë qe grave t’ju besohen pozita të ndryshme udhëheqëse, deputetët e opozitës nuk po e bëjnë këtë në Kuvend.”
Për nënkryetarën e PDK-së, Vlora Çitaku, një deklaratë e tillë vjen si një përpjekje e dëshpëruar për dhënie llogarie për “dëmtimin e ekonomisë dhe prodhuesve vendorë.”
“Albin Kurti, në vend që të japë llogari për dëmtimin e ekonomisë dhe prodhuesve vendorë, në vend që të përgjigjet për aferat e panumërta korruptive të qeverisë së tij, në vend që të sqarojë përfshirjen e vëllait të Luan Dalipit në pazare me shitblerjen e energjisë, ka zgjedhur, si zakonisht, të sulmojë opozitën, duke e etiketuar si patriarkale dhe të prapambetur.” – tha Çitaku.
Ajo tha se ishte pikërisht kjo parti që propozoi për herë të parë një grua për Presidente të vendit. “Ironike, kur dihet që PDK ishte partia e parë që propozoi një grua për Presidente të vendit, Flora Brovinën, dhe në vazhdimësi ka mbështetur gratë në pozita të larta politike dhe publike.”
Çitaku kujtoi madje se qeveria e udhëhequr nga Kurti ka sulmuar në të kaluarën gra në pozita kyçe, duke përmendur rastet e Valdete Dakës, Vlora Hysenit dhe Gresa Cakës.
“E ndërkohë, LVV ka një histori krejt tjetër:
– Valdete Dakën, e sulmuan deri në shkarkim.
– Vlora Hysenin, e sulmuan dhe e shkarkuan.
– Gresa Cakën, e sulmuan brutalisht, vetëm pse s’mund ta shkarkonin.
Ky është realiteti. Jo propaganda.”
Nga ana tjetër, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, kujtoi se LDK ka votuar më parë dy presidente gra. Por, sipas Hazirit, në këtë rast mungon pikërisht ai konsensus politik që garanton legjitimitet dhe përfaqësim të drejtë.
“Kemi votuar dy presidente gra, por me marrëveshje e për Republikën, që kishte besim e shpresë te populli. Kemi votuar pa kushte e kërkesa politike, edhe pse votuesit nuk e pëlqenin, por Republika duhet të ecte para. Tash, për agjenda të fshehura e veprime të njëanshme, nuk votohet as për Kuvend e as për Qeveri.” – tha ai.
Haziri qartësoi se ata mbështesin vetëm “pëfaqësues që dalin nga marrëveshjet e veprimet politike.”
As për grua e as për burrë, por për pëfaqësues që dalin nga marrëveshjet e veprimet politike, që nuk bartin njollën e kontabandës politike, por të meritës politike. Ai që kundështoi gjithçka në këtë Republikë, e di më së miri ta kuptojë kundërshtimin politik dhe e ka në dorë zgjidhjen e bllokadës. Republika, mbi të gjitha!”