Zyra e Rregullatorit për Energji pasi ka miratuar rritjen e çmimit të rrymës, çka ka shkaktuar pakënaqësi tek qytetarët, ky institucion publik ka ndaluar edhe komentet në Facebook për qytetarët.


Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka caktuar tarifat e reja të energjisë, që do të jenë për 16.1% më të larta.
Në mbledhjen e mbajtur dje, Bordi i ZRRE-së ka vendosur që rritja prej 16.1% të jetë lineare pёr të gjithë konsumatorët.
Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së tha se struktura e re tarifore do të vlejë nga 1 maji 2025 deri më 31 mars të vitit 2026.
“Konstatoj se me pesë vota “për” aprovohen tarifat me pakicë për konsumatorët me shërbim universal, siç janë të përcaktuara kriteret në legjislacionin primar. Të gjithë konsumatorët të cilët kanë të drejtë me u furnizu me shërbim universal janë konsumatorët shtëpiak, ose familjarë dhe bizneset e vogla me qarkullim më pak se 10 milionë euro dhe më pak se 50 punëtorë. Pra, janë këto dy kategori që kanë të drejtë të furnizohen përmes furnizuesit universal KESCO për periudhën tarifore 1 maj 2025 deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.” – sqaroi Fejzuallahu.
Kurse, bizneset të cilat kanë qarkullim mbi 10 milionë euro, ose kanë më shumë se 50 punëtorë nga 01.06.2025 do të dalin në treg të lirë për të blerë energjinë elektrike.