Pasi shiti Anthony Gordon, Newcastle e nis vrullshëm merkaton. Gati goditja e trefishtë për 120 mln euro

Pasi dështoi në sezonin e kaluar në Premier League, ku nuk arriti të kualifikohej për në Kupat e Europës, Newcastle pritet të jetë shumë aktiv këtë merkato.

Pak ditë më parë, “Qymyrxhinjtë” shitën Anthony Gordon te Barcelona për 80 milionë euro në total. Pritet të ketë edhe largime të tjera, siç mund të jetë ai i Sandro Tonali. Në anën tjetër, Newcastle nuk po qëndron aspak duarbosh përsa i përket transferimeve të reja të mundshme.

Qymyrxhinjtë kanë piketuar 3 lojtarë të Real Betis, të cilët shkëlqyen në sezonin e fundit, duke siguruar kualifikimin në Champions League, pas shumë sezonesh.

Objektivi kryesor i Newcastle është Ez Abde, sulmuesi anësor maroken, i cili shkëlqeu në sezonin e fundit me 15 gola dhe 13 asiste. Klauzola e lirimit të lojtarit është rreth 60 milionë euro.

Përveç marokenit, Newcastle synon edhe dy lojtarë të tjerë të Betis, mbrojtësin brazilian Natan dhe sulmuesin Cucho Hernandez, për të cilët është i gatshëm të paguajë rreth 60 milionë euro të tjera, pra në total 120 milionë euro për tre përforcime.

The post Pasi shiti Anthony Gordon, Newcastle e nis vrullshëm merkaton. Gati goditja e trefishtë për 120 mln euro appeared first on Telesport.