Pasi ia pezulloi fondet prej 2.2 miliardë dollarëve, Trump kërcënon me masa tjera Universitetin e Harvardit

Presidenti amerikan, Donald Trump ka sugjeruar se Universiteti i Harvardit mund të humbasë statusin e përjashtimit nga taksat dhe të taksohet si një entitet politik.

Universiteti amerikan është i përjashtuar nga taksa federale mbi të ardhurat si një institucion arsimor sipas Kodit të Brendshëm të Tatimeve të vitit 1986.

Si një institucion arsimor, Harvard është gjithashtu i përjashtuar nga taksa mbi të ardhurat e shtetit të Massachusetts.

“Ndoshta Harvard duhet të humbasë statusin e përjashtimit nga taksat dhe të taksohet si një entitet politik nëse vazhdon të shtyjë për “Sëmundjen” politike, ideologjike dhe të frymëzuar nga terrorizmi/përkrahëse? Mos harroni, Statusi i Përjashtimit nga Taksat është plotësisht i kushtëzuar nga veprimi në interesin publik”, ka shkruar ai në Truth Social.

Ndryshe, qeveria amerikane ka ngrirë së fundmi më shumë se 2.2 miliardë dollarë financime për Universitetin e Harvardit, pasi ky i fundit refuzoi kërkesat e administratës Trump për të kufizuar protestat në kampus.

Qeveria federale gjithashtu kërkoi heqjen e menjëhershme të të gjitha programeve dhe nismave për diversitetin, barazinë dhe përfshirjen (DEI).