Drejtori i Arsimit në Komunën e Vushtrrisë, Albanez Tahiraj i ka reaguar kandidates nga Nisma, Xhevahire Izmakut, e cila në debatin e mbrëmshëm në RTV21 tha se është e zhgënjyer me pozitën e drejtorit të Arsimit.
”E kuptoj, por nuk e mirëkuptoj shqetësimin, vajtimin dhe lakminë e saj, e cila kishte lëkundur çdo gur për t’u emëruar drejtoreshë e arsimit në qeverinë e Ferit Idrizit, të cilës kur i dështoi lobimi, iu rritën zhgënjimi e dëshpërimi”, ka shkruar Tahiraj.
Postimi i plotë:
𝐔 𝐛ë𝐟𝐭ë 𝐦𝐚𝐥𝐥𝐤𝐢𝐦 𝐦𝐛𝐢 𝐭𝐲 𝐯𝐨𝐭𝐚 𝐢𝐦𝐞!
Gjatë debatit të mbrëmshëm, në mungesë të programit qeverisës, aktrimi i kandidates nga NISMA, se gjoja është e zhgënjyer për pozitën time aktuale, në të cilën me besim të fortë dhe të plotë më emëroi i pari i komunës, z. Ferit Idrizi, shpërfaqin faktin se zhgënjimi dhe dëshpërimi janë bërë shoqëruesit e saj të përhershëm. Por unë nuk jam si ajo, dhe këtë ajo e di mirë. Sepse në kohën kur ishte në PDK, ishim dy anët e një medaljeje, unë pjesa e ndritur që kontribuonte dhe qëndronte me besnikëri, ndërsa ajo ishte ana tjetër, që e shfrytëzonte partinë dhe njerëzit vetëm si trampolinë për interesa personale.
Ky dallim mes nesh ka qenë i qartë atëherë dhe është edhe më i qartë sot. Ajo ndërtoi profilin e saj mbi ankesa dhe kërkesa të pangopura, ndërsa unë mbi punë, përkushtim dhe rezultate. Kjo është arsyeja pse unë jam këtu për të udhëhequr dhe për të sjellë ndryshime konkrete, e ajo ka mbetur nën hijen e zhgënjimit të saj të pafund në Vushtrri.
E kuptoj, por nuk e mirëkuptoj shqetësimin, vajtimin dhe lakminë e saj, e cila kishte lëkundur çdo gur për t’u emëruar drejtoreshë e arsimit në qeverinë e Ferit Idrizit, të cilës kur i dështoi lobimi, iu rritën zhgënjimi e dëshpërimi.
Më shumë fat herëve tjera!
Strukturat dhe elektorati i PDK-së gjithmonë kanë mbështetur atë që në të mirë e në të keq u qëndroi besnik, jo atë që historikisht i ka shfrytëzuar si trampolinë për ambicie personale dhe si makinë votuese për karrierë politike. Historia e saj me PDK-në është e njohur si shfrytëzim i elektoratit pa besnikëri dhe pa kontribut të qëndrueshëm.
Është e qartë pse ndihet e përhumbur. Kur shpenzon energji nëpër korridore për të arritur deri te një pozitë, e pastaj përfundon pa rezultat, është normale të përjetosh zhgënjim. Por problemi është kur zhgënjimi shndërrohet në sulm të pamerituar ndaj kryetarit dhe ndaj meje, si i emëruar në këtë detyrë.
Unë nuk jam këtu për të plotësuar ambiciet e saj të dështuara, por jam këtu për të udhëhequr një drejtori që ka nevojë për punë, rezultate dhe përgjegjësi, sepse besnikëria matet me vepra dhe qëndrim, e jo me lot e akuza publike – politike.
Në asnjë rrethanë nuk çuditem me të, edhe në rastin e mbrëmshëm ku tentoi të më paraqiste si personalitet jo adekuat për ta ushtruar funksionin aktual, pasi që gjatë tërë angazhimit të saj në PDK, karakteristikë e saj ka qenë përçarja brenda llojit të njëjtë, ku tek ata që deri dje e kishte varur shpresën për karrierën e saj, sot të njëjtit synon t’i paraqes si oligarkë.
Unë nuk do të humbas kohë me vajtime dhe llomotitje politike. Koha ime i përket shkollave, nxënësve dhe mësimdhënësve, ngase aty do të shihet ndryshimi mes punës sime dhe zhgënjimit të saj, sepse ne do të gjykohemi nga rezultatet, jo nga lotët e atyre që humbën garën.
Gjithashtu e kam të qartë edhe një gjë, PDK-ja është shumë më e madhe se individët, pasi që ajo e shtrydhi, e ndrydhi dhe e shfrytëzoi skajshmërisht dhe në fund papritmas pabesisht e braktisi me arsyetimin më banal dhe absurd, “se e paska humbur besimin në vizionin e PDK-së”. Në këto rrethana kam vetëm një porosi: Kujdes nga mallkimi i djersës dhe kontributit tim dhe të elektoratit besnik.
Krejt në fund, duhet ta themi hapur se qytetarët e Vushtrrisë tashmë ia kanë dhënë asaj kartonin e kuq. Në zgjedhjet e fundit, sipas mundësisë që një votues të votojë deri në 10 kandidatë për deputetë, ajo mori vetëm 551 vota, e përkthyer realisht në përllogaritje sikur një votues të votoj vetëm një kandidat për deputet, i bie se mori rreth 50 vota. Mirëpo, duke qenë e vetëdijshme për mungesën e mbështetjes elektorale në qytetin e vet, u fokusua në gjah të votave nëpër komuna tjera.