Pas Vushtrrisë, edhe Dukagjini i Klinës hyn në Superligë

Klubi nga Klina, Dukagjini, ka arritur ta sigurojë promovimin në Ipko Superligës e Kosovës, pas fitores me rezultat 2 – 0 në ndeshjen kundër Drenasit, në stadiumin “18 qershori” në Klinë.

Dukagjini e ka përfunduar sezonin 2018/19 me promovim në Ipko Superligë, pasi që arriti ta zë vendin e dytë në tabelën e Ligës së Parë, nivelit të dytë të futbollit në Kosovë, shkruan Ballkani.info.

Baras pikë sa Dukagjini grumbulloi këtë sezon edhe Besa, megjithatë klubi nga Peja do të përballet në barazh me Vëllaznimin për ta siguruar promovimin në Superligë për shkak të dallimit në gola.

Besa e barazoi me rezultat 1 – 1 ndeshjen e fundit të këtij sezoni, kundër Kikës, e cila po luante me një lojtar më pak për shkak të ndëshkimit me karton të kuq.

Përveç Kikës, edhe Fushë Kosova ka rënë në Ligën e Dytë të Kosovës, nivelin e tretë të futbollit, ndërsa në barazh për mbijetesë do të përballen Bashkimi i Koretinit dhe Ramiz Sadiku.

Vushtrria e kishte siguruar më parë promovimin në Ipko Superligë, ndërsa nesër do të përballet me Onixit. Ndeshja mes Onixit dhe Vushtrrisë është e vetmja ndeshje e Ligës së Parë që nuk u zhvillua sot.