Pas vjeshtës gjej një punë tjetër”, Kurti e shpotit Ramën

Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama kanë shkëmbyer thumba me njëri-tjetrin gjatë vendosjes së gurthemelit të çerdhes në Bardhosh të Prishtinës.

Fillimisht kryetari i Prishtinës, Përparim Rama i kërkoi Kurtit që të zhbllokoi buxhetin e kryeqytetit që sipas tij ka lënë pezull shumë projekte tjera.

“I bëjë publikisht këtu thirrje kryeministrit ta zhbllokojë buxhetin e kryeqytetit. Të takohemi pasi që s’jemi takuar ende që katër vite unë e kryeministri për të mirën e vendit. Është fillim i mirë të bëhemi bashkë e t’i grahim proceseve të mëdha e jo vetëm këtyre të vogla, për të mirën e qytetarëve”, tha Rama.

E pas kësaj u përgjigj Kurti duke thënë se Rama pas vjeshtës është mirë të gjej një punë tjetër.

“Së pari fëmijët janë të vegjël por asnjë çerdhe nuk është minore, nuk mund ta quajmë projekt të vogël. E kam takuar kryetarin disa herë në zyrën time. Janë 12 milionë e 243 mijë euro në fushën e arsimit në kryeqytet. Dhe këtu jemi për fushën e arsimit, jo për çështje të tjera. Kemi edhe investime të tjera, por investimet madhore që janë shumëvjeçare kërkojnë planifikime të tjera. Ky është një plan shumëvjeçar, të cilin duhet ta bëjmë ndryshe, mbase me dikë tjetër. E, kryetari Rama pas vjeshtës duhet të gjejë një punë tjetër”, u përgjigj Kurti.

Por Rama nuk e la me kaq, ai tha se edhe pas vjeshtës do të vazhdoj të jetë kryetar i Prishtinës.

“Do të vazhdoj si kryetar i kryeqytetit. Sot i lutem kryeministrit se nëse është ende në detyrë pas zgjedhjeve lokale ku unë do të jem sërish kryetar i kryeqytetit të bashkëpunojmë sepse e ka sabotuar që katër vite kryeqytetin. Unë do të jem prapë kryetar”, tha Rama.

The post Pas vjeshtës gjej një punë tjetër”, Kurti e shpotit Ramën appeared first on Kosovapost.net.