Pas vendimit të gjykatës, OSHP godet sërish KEK-un: Firma donatore e VV-se u shpall fituese kundërligjshëm, zyrtarit të prokurimit kërkohet t’i hiqet licenca

Saga e tenderit për furnizim me mazut në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) ka marrë një kthesë të re, duke ekspozuar një ndër rastet më të theksuara të moszbatimit të vendimeve të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) nga një autoritet publik. Pas vendimeve të vitit 2024, të cilat kishin marrë formë të prerë dhe nuk ishin kontestuar nga palët, OSHP u detyrua që edhe njëherë, më 18 shtator të vitit 2025, të ndërhyjë dhe të riafirmojë urdhrat e saj, pasi KEK dështoi t’i zbatojë ato, duke u përpjekur të ruajë të njëjtin fitues të tenderit, pavarësisht konstatimit të papërgjegjshmërisë së tij, shkruan Demokracia.com.

Ky vendim i ri i OSHP-së nuk është një akt administrativ, por një vërejtje e ashpër institucionale, një rikujtim i rregullit themelor të sistemit të prokurimit publik se vendimet e OSHP-së janë detyruese dhe moszbatimi i tyre përbën shkelje të rëndë ligjore.

Rikthimi i lëndës në OSHP pas Gjykatës Komerciale

Fillimisht, në prill të vitit 2025, Paneli i OSHP-së kishte marrë vendim të shqiptonte një gjobë prej 10 mijë euro ndaj KEK-ut dhe kishte kërkuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) të tërhiqte certifikatën profesionale të zyrtarit kryesor të prokurimit, pasi korporata nuk kishte zbatuar disa vendime radhazi që lidhnin me tenderin për furnizim me mazut, në të cilin favorizohej kompania “Exfix”, e njohur si donatore dhe kontraktore e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Për këtë vendim kishte raportuar disa herë edhe Demorkacia.com.

KEK dënohet me 10 mijë euro gjobë nga OSHP, rekomandohet revokimi i certifikatës për shefin e prokurimit

Pas vendimit të OSHP-së të prillit 2025, KEK paraqiti padi në Gjykatën Komerciale, duke kërkuar anulim dhe shtyrjen e ekzekutimit. Gjykata e shkallës së parë nuk anuloi vendimin në përmbajtje, por vetëm kërkoi që OSHP të përmirësojë pjesën e dispozitivit për qartësi teknike. Gjykata e shkallës së dytë e la në fuqi këtë qasje. Pra, jo të rrëzojë vendimin e OSHP-së, por t’i kërkojë atij riformulim teknik.

Ky detaj është kritik, pasi gjykata nuk e rrëzoi vendimin e OSHP-së, por vetëm kërkoi riformulim, duke e lënë të plotfuqishëm vlerësimin faktik dhe ligjor të OSHP-së. Në këtë fazë, çështja u rikthye në OSHP për rivendosje dhe përmirësim formal.

Konstatat kryesore të panelit të OSHP-se

Paneli i OSHP-së, pas rishqyrtimit dhe analizimit të dosjes, konfirmoi se çështja është tashmë “res judicata”, pra e gjykuar me vendime të formës së prerë. Palët, objekti dhe rrethanat ishin të njëjta dhe vendimet paraprake të OSHP-së kishin hyrë në fuqi. KEK kishte pasur mundësi që vendimet e vitit 2024 t’i kontestonte, por nuk e kishte bërë.

Kjo do të thotë se:

OSHP kishte vendosur njëherë.

Vendimi kishte marrë formë të prerë.

KEK kishte detyrimin ta zbatonte.

Rikthimi i fituesit të mëparshëm nga KEK ishte në kundërshtim me ligjin.

Paneli i OSHP-së ritheksoi se autoriteti kontraktues ka vepruar në kundërshtim me nenin 97 të Rregullores për Prokurim Publik, duke mos zbatuar vendimet e OSHP-së dhe duke imponuar të njëjtin rezultat të rivlerësimit, edhe pse operatori ekonomik ishte shpallur si i papërgjegjshëm.

Mospërfillja e vendimit dhe tentativa për legjitimitet përmes ekspertizës private

Një element që rëndon pozicionin e KEK-ut është përpjekja për të futur në proces një “ekspertizë grafologjie” të siguruar nga vet operatori ekonomik brenda të njëjtës ditë. OSHP vë në dukje se kjo ekspertizë: nuk ishte e kërkuar nga vendimi; nuk ishte institucionale; ishte siguruar në mënyrë të pazakontë brenda ditës së njëjtë; nuk ishte bazuar në dokumente personale origjinale; dhe ngre dyshime të qarta për koordinim mes palëve gjatë orarit të njëjtë të ditës së kërkesës.

Paneli e konsideron këtë si devijim nga drejtësia dhe një veprim që nuk mund të pranohet si provë objektive. Kjo praktikë u cilësua si përpjekje për të gjetur një justifikim të vonshëm për vendim të mëhershëm jo të ligjshëm.

Paneli thotë qartë se KEK nuk ka pasur të drejtë të shpallë fitues operatorin e njëjtë pa e zbatuar vendimin e OSHP-së dhe pa i ndjekur hapat e ligjshëm. Kjo është quajtur shkelje serioze dhe veprim i kundërligjshëm, duke cenuar parimet e transparencës dhe ndershmërisë së prokurimit publik.

OSHP nënvizon se autoriteti kontraktues nuk mund t’i interpretojë vendimet e organit të shqyrtimit sipas vullnetit të vet, as të zgjedhë cilat pjesë të ligjit do t’i zbatojë. Nëse një vendim nuk u pëlqen, rruga ligjore është gjykata, jo “rikthimi i vullnetit administrativ”.

Paneli përmend edhe standardet evropiane, duke theksuar se OSHP njihet si “gjykatë e natyrës administrative” për çështjet e prokurimit dhe vetëm gjykatat mund ta mbikëqyrin atë, jo vetë organet nënmonitoruese që këto vendime prekin.

“Paneli po ashtu mori vendim: – Që të shqiptohet gjoba në të holla për Autoritetin Kontraktues në lartësi të shumë 5.000,00 €, për shkak të mosrespektimit të Vendimit të OSHP të datës 19.05.2023, në pajtim me nenin 131, të Ligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës; -Të Iniciohet procedura për revokimin e certefikatës së prokurimit kundër zyrtarit përgjegjës prokurimit të AK, konform nenit 25, paragrafi 8, të LPP, për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore të lartcekura si dhe nenit 97 të Rregullores nr. 001/2022 për Prokurimin Publik të Me vendimet nr. 2024/0513 të dates 19.08.2024, dhe nr. 2024/0970 të datës 11.12.2024, OSHP ka kërkuar që AK ta rivlerësoj aktivitetin e prokurimit në kuptim të rrethanave të shpjeguara në këto vendime (pa nevojë të përsësiten). Në ketë rast, është jokontetuese se AK nuk ka vepruar në harmoni me Vendimet e cituara, të cilat në kuptim të legjislacionit nënkupton aktin administrativ të një organi kompetent, me efekte detyrues për të gjitha palët meqë i njëjti buron nga normat kogente të LPP dhe kompetencat e OSHP, nga cilësia e tij si organ i adminstratës shtetërore në shkallë të dytë. Paneli konsideron (pa ndonjë paragjykim) se, përfillja e Vendimit të cituar do evitonte në kohë efektive çdo dilemë, në relacion me kërkesat e parapara””, thuhet në vendimin përfundimtarë të Panelit të OSHP-së, i cili është thuajse i njëjtë, sikurse i muajit prill, por me disa përmirësime teknike, sipas urdhrit të Gjykatës Komerciale.

Si nisi procesi?

Më 18.01.2024, “Korporata Energjetike e Kosovës” sh.a. në cilësinë e Autoritetit Kontraktues ka publikuar njoftimin për kontratë për aktivitetin e prokurimit me titull: “Furnizim me Lëndë Djegëse për Kaldajë – Mazut( Fuel Oil 1.0% )”, me nr. të prokurimit: KEK-24-186-1-1-1. Ndërkaq, më datën 23.09.2024 është publikuar njoftimi mbi vendimin e AK me të cilin ka shpërblyer me kontratë OE “EX FIS ”.

Ky aktivitet i prokurimit është zhvilluar me procedurë të hapur me llojin e kontratës furnizim dhe me vlerë të parashikuar të kontratës 6,650,000.00 euro.

Më 27.09.2024, OE “PATRONI” SH.P.K., ka parashtruar kërkesë për rishqyrtim kundër vendimit të lartcekur të AK. Më 02.10.2024, Autoriteti Kontraktues ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim.

Më 10.10. 2024, OSHP ka pranuar ankesën nga OE “PATRONI” SH.P.K lidhur me aktivitetin “Furnizim me Lëndë Djegëse për Kaldajë – Mazut( Fuel Oil 1.0% )”.

Paneli Shqyrtues kishte konstatuar se ankesa i përmban të gjitha elementet e përcaktuara përmes nenit 111 të LPP dhe si e tillë është parashtruar brenda afatit ligjor.

Pretendimet e kompanisë ankuese “PATRONI” SH.P.K., janë parashtruar si në vijim: Fillimisht, njoftimi mbi vendimin e AK-së ishte bërë më dt. 25.03.2024, ku ishte rekomanduar për kontratë OE Ex Fis SI-IPK me çmim prej: 109.00 euro dhe total prej: 6,381.572.14 euro. Ne kishim pranuar letrën standarde për tenderues të pasuksesshëm. Pastaj, më dt.02.04.2024 ka parashtruar kërkesë për rishqyrtim me arsyetimin se OE i rekomanduar për kontratë është i papërgjegjshëm.

Kërkesa për rishqyrtim ishte aprovuar dhe lënda ishte kthyer në rishqyrtim. (Vendimi i parë)

Prej datës së aprovimit të kërkesës për rishqyrtim, pra prej dt. 05.04.2024, deri më dt. 22.05.2024 nuk ishte kryer rivlerësimi dhe rishqyrtimi, ku çështja e vetme që ishte rishqyrtuar ka qenë nënshkrimi i deklaratës për afat të liferimit dhe paramasës dhe përshkrimi i çmimeve pa autorizim.

Më pastaj ishte publikuar njoftimi mbi vendimin më dt. 22.05.2024, ku përsëri ishte rekomanduar për kontratë i njëjti operator ekonomik.

Pas kërkesës për rishqyrtim dhe ankesës në OSHP është nxjerr vendimi i panelit shqyrtues dt. 19.08.2024 Nr.2024/0513, ku ishte aprovuar ankesa si e bazuar, ndërsa OE i rekomanduar për kontratë ishte shpallur i papërgjegjshëm.

Paneli shqyrtues konkretisht ka vërejtur se nënshkrimet tek deklarata në betim, deklarata për specifikim teknik dhe deklarata e prodhuesit janë të Drejtorit Lum Muharremi, kurse tek deklarata për afat të liferimit dhe nënshkrim tek paramasa me përshkrim të çmimit nuk janë identike me nënshkrimin e Drejtorit. Pra ndryshojnë dhe ka mospërputhje të nënshkrimeve tek dokumentet e prezantuara në ofertën e OE të rekomanduar për kontratë. Sa i përket nënshkrimeve të vendosua te dy dokumentet e kontestuara, përkatësisht tek deklarata për afat të liferimit dhe tek paramasa në përshkrim të çmimit, paneli shqyrtues ka analizuar këto dy nënshkrime dhe ka ardh në përfundim se autoriteti kontraktues e as eksperti shqyrtues nuk kanë dëshmuar se nënshkrimet e vendosura në këto dy dokumente janë të personit për të cilin pretendon OE i rekomanduar për kontratë dhe për të cilin ka bashkëngjit një autorizim me rastin e sqarimeve shtesë”, kishte konstatuar paneli i OSHP-së.

Për më tepër, gjatë analizës së nënshkrimeve të këtyre dy dokumenteve, Paneli shqyrtues ka vërejtur se nënshkrimet në këto dy dokumente janë të vendosura në formatin dhe mënyrën e njëjtë, pasi që tek paramasa me përshkrimin të çmimit, tek rubrika e nënshkrimit është shënuar fjala ‘për’ dhe është vendosur nënshkrimi, i cili nuk është vërtetuar as nga autoriteti kontraktues e as nga eksperti shqyrtues se i cilit person është.

Ndërsa tek deklarata për afat të liferimit tek rubrika e nënshkrimit është vendosur nënshkrimi i njëjtë, sikurse tek paramasa me përshkrim të çmimit, mirëpo në këtë rubrikë e as në rubrikat tjera nuk është vendosur fjala “për” dhe kjo për panelin shqyrtues dëshmon parregullsi të nënshkrimit të këtyre dokumenteve, përkatësisht mënyrës së nënshkrimit të këtyre dokumenteve dhe dëshmon pamundësinë e vërtetimit nga ana e AK dhe e ekspertit shqyrtues të këtyre nënshkrimeve.

Paneli ka kërkuar nga KEK-u që të anulojë vendimin për dhënien e kontratës dhe t’ia kthejë lëndën për rivlerësim, duke kërkuar sqarime shtesë rreth nënshkrimeve të dokumenteve dhe një hetim më të detajuar në lidhje me ato nënshkrime. KEK-u e ka kthyer procesin në rivlerësim dhe ka shpallur përsëri fituese kompaninë e njëjtë, pa përfillur vendimin e Panelit.

Paneli i OSHP-së e ka shqyrtuar për herë të dytë këtë lëndë, pasi ka pasur ankesa dhe ka vendosur sërish që lënda të kthehet për rivlerësim, duke ruajtur rekomandimet e para. (Vendimi i dytë)

KEK-u e ka kthyer përsëri tenderin për rivlerësim dhe ka shpallur fituese po të njëjtën kompani, ndonëse kishte mundësinë ta anulonte krejtësisht procesin për shkak të dyshimeve për mashtrim me nënshkrime, ose të shpallte fituese kompaninë tjetër që ishte pjesë e garës.

Pasi ka pasur ankesa dhe përseri lënda ka kaluar në shqyrtim të ekspertit para se të merrej vendimi nga Paneli.

Eksperti ka konstatuar se: “Eksperti shqyrtues sqaron se pretendimet e OE ankues në këtë aktivitet të prokurimit janë pretendimet e njëjta, të cilat janë trajtuar edhe në vendimin e PSH 2024/0513 dhe 2024/0970. Pas administrimit të provave, vendimet e PSH eksperti shqyrtues vlerëson se për aktivitetin e prokurimit dhe pretendimet e OE ankues për këtë aktivitet të prokurimit janë marrë dy vendime të OSHP-së, ndërsa duke ju referuar vendimit 2024/0970 citoj “Paneli vlerëson se Autoriteti Kontraktues – Korporata Energjetike e Kosovës , zyrtari përgjegjës i prokurimit dhe komisioni i ri-vlerësimit gjatë vlerësimit, ekzaminimit dhe krahasimit të tenderëve, nuk e ka marrë për bazë fare Vendimin e OSHP- së nr. 2024/0513 të datës 19.08.2024, ku në bazë të këtij vendimi konkretisht në faqen 10, PSH konstaton se OE i rekomanduar për kontratë është i papërgjegjshëm për këtë aktivitet të prokurimit dhe AK të veproj konform nenit 52.7 të LPP. Rrjedhimisht, AK pasi që ka kthyer lëndën në ri-vlerësim, prapë e shpallë OE e njëjtë të rekomanduar për kontratë që sipas vendimit të OSHP, i cili ka marrë formën e prerë është i papërgjegjshëm. Me këtë rast, AK ka vepruar në kundërshtim me nenin 97 të Rregullores nr. 001/2022 për Prokurim Publik, ku sipas këtij neni tek pika h), Mosrespektimi i vendimeve të OSHP, konsiderohet shkelje e rëndë në Prokurimin Publik”. Përfundimisht, bazuar në nenin 119 të LPP-së dhe sqarimet e dhëna përmes emalimit të OSHP-së të datës 20.09.2024 vendimet e PSH OSHP-së, janë të plotfuqishme dhe të njëjtat mund të atakohen në gjykatë sipas këshillës juridike vetëm nga palët e pakënaqura, prandaj eksperti shqyrtues vlerëson se këto pretendime duhet të konsiderohen si çështje të gjykuara “res judicata”.

Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i kishte propozuar panelit shqyrtues që lënda të trajtohet si çështje e gjykuar sipas vendimeve paraprake të OSHP-së. Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, paneli shqyrtues e vlerëson si të bazuar ankesën e OE ankues Patroni Sh.P.K. Në rastet e përsëritura me pretendimet e njëjta ankimore, kur objekti i kontestit dhe palët janë të njëjta, për raste të cilat janë shqyrtuar më parë, Kryetari i panelit shqyrtues duhet të trajtojë si çështje të gjykuar “res judicata”.

Paneli në ketë rast mori në konsideratë të gjitha pohimet ankimore, aktet dhe veprimet e AK dhe raportin e ekspertit. Në fakt (natyrisht pavarësisht nga rekomandimet) Paneli vëren se procedura e prokurimit, e cila është aplikuar në ketë rast është prezantuar në detaje në raportin e ekspertizës së ekspertit shqyrtues, duke i shpjeguar të gjitha fazat e procesit dhe veprimet e ndërmarra nga palët në kontekstin krahasues me aktet në fuqi, posaçërisht me Rregullat për Prokurim Publik. Prandaj Paneli konform neni 105 paragrafi 2.16 i LPP-së sqaron: “Në rastet e përsëritura me të njëjtat pretendime ankimore, ku objekti i kontestit dhe palët janë të njëjta, në rastet të cilat janë shqyrtuar më parë, Kryetari i Panelit Shqyrtues i trajton si çështje të gjykuara “res judicata”. Andaj, mbi bazën e kësaj PSH vendos për të anuluar Njoftimin mbi Vendimin e Autoritetit Kontraktues “Korporata Energjetike e Kosovës” lidhur me aktivitetin “FURNIZIM ME LËNDË DJEGËSE PËR KALDAJË – MAZUT( Fuel Oil 1.0%)”  dhe lënda të kthehet në ri-vlerësim.

Paneli konstatoi se Korporata Energjetike e Kosovës sh.a, zyrtari përgjegjës i prokurimit dhe komisioni i ri-vlerësimit gjatë vlerësimit, ekzaminimit dhe krahasimit të tenderëve, nuk e ka marrë për bazë fare Vendimin e OSHP- së nr. 2024/0513 të datës 19.08.2024, si dhe vendimin nr. 2024/0970 të datës 11.12.2024. Në bazë të vendimit nr. 2024/0513, konkretisht në faqen 10, PSH konstaton se OE i rekomanduar për kontratë është i papërgjegjshëm për këtë aktivitet të prokurimit dhe AK të veprojë konform nenit 52.7 të LPP. Si dhe me vendimin 2024/0970 PSH ka konstatuar se kjo çështje të trajtohet si çështje e gjykuar dhe lënda të kthehet në ri-vlerësim, me ç’rast OSHP-ja urdhëron Autoritetin Kontraktues (AK) – “Korporata Energjetike e Kosovës” sh.a, që të ndërmarrë masa për zbatimin e vendimit të lartpërmendur në afat prej pesë ditësh, mosrespektimi i këtij urdhri në afat prej pesë ditësh kalendarike, do ta detyrojë panelin shqyrtues që të respektojë nenin 131 të LPP-së dhe njëkohësisht do të kërkojë nga KRPP-ja që t’i anulojë licencën menaxherit të prokurimit të Autoritetit Kontraktues “Korporata Energjetike e Kosovës” sh.a, në pajtim me nenin 25 paragrafi 8 dhe 9 të LPP-së.

Pas analizimit të shkresave të lartpërmendura, të cilat i kishte në dispozicion Paneli Shqyrtues, si: Ankesat e OE ankues, raportet e ekspertit shqyrtues, vendimin nr.2024/0513, nr. 2024/0970, shihet se AK përsëri nuk kishte zbatuar vendimet dhe urdhëresen e OSHP, përderisa vendimet e OSHP-së janë të detyrueshme për autoritetet kontraktuese dhe të gjitha palët në procedurë, përkundër vendimeve të OSHP-së, mund të ankohen në gjykatën kompetente brenda afatit ligjor me mjete të rregullta juridike, në përputhje me këshillën juridike të dhënë në vendim.

Rrjedhimisht, KEK ka kthyer lëndën në ri-vlerësim dhe përkundër faktit se OSHP me dy vendime e ka kualifikuar OE të rekomanduar të papërgjegjshëm për këtë aktivitet të prokurimit, si dhe përkundër urdhrit të cekur në pikën 3 të dispozitivit të vendimit nr. 2024.0970, AK ka shpallur prapë OE e njëjtë fitues, citat pika 3 e dispozitivit: “URDHËROHET Autoriteti Kontraktues- “Korporata Energjetike e Kosovës” sh.a., që në afat prej 5 (pesë) ditësh kalendarike të njoftojë OSHP-në lidhur me zbatimin e vendimit të OSHP-së: PSh.nr.2024/0513 i datës 19.08.2024, lidhur me aktivitetin e prokurimit me titull: “FURNIZIM ME LËNDË DJEGËSE PËR KALDAJË – MAZUT (Fuel Oil 1.0%)” me numër të prokurimit KEK-24-186-1-1-1″.

Vlen të theksohet se këto dy vendime të lartcekura të OSHP kanë marrë formën e prerë ngase të njëjtat nga asnjëra palë nuk janë atakuar në gjykatë. Me këtë rast, AK ka vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore të prokurimit publik (LPP) si dhe në kundërshtim me nenin 97 të Rregullores nr. 001/2022 për Prokurim Publik, ku sipas këtij neni tek pika h), Mosrespektimi i vendimeve të OSHP, konsiderohet shkelje e rëndë në Prokurimin Publik.

Paneli Shqyrtues thekson se vendimin e OSHP-së kanë pasur mundësi ta atakojnë në Gjykatën kompetente konform këshillës juridike të dhënë në vendim, por edhe konform nenit 99, paragrafit 3 të LPP, citat: “Të gjitha vendimet e nxjerra nga OSHP mund të shqyrtohen nga Gjykata kompetente në pajtim me ligjin për shqyrtimin gjyqësor të çështjeve administrative”. Pikërisht ligjvënësit në të gjitha sistemet juridike kanë lënë mundësinë që nëse ndonjëra palë në procedurë konsideron se vendimi i OSHP nuk është marrë konform dispozitave ligjore, atëherë të atakohen në gjykatë dhe gjykata ka edhe mundësinë qoftë të lë në fuqi vendimin e OSHP, qoftë lëndën ta kthejë mbrapa në OSHP për ri-vendosje“, kishte shkruar OSHP në raport.

Sipas panelit, përveç tjerash, OSHP-në edhe Gjykata Evropiane e Drejtësisë e njeh si kauzi-gjykatë e po ashtu edhe Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në Aktgjykimin e saj me nr. referent AGJ 2459/24, në rastin nr. KO157/23, në pikat 133 dhe 134, thekson se vlerësimi i vendimeve të OSHP i takon vetëm gjykatave të Republikës së Kosovës. Nisur nga kjo, vlerësimin e vendimeve të OSHP nuk mund ta bëjë AK sikurse në këtë rast, por as vetë Paneli Shqyrtues. Që do të thotë se pas vendimeve të OSHP, autoriteti kontraktues ka pasur disa mundësi: Ta atakojë vendimin e OSHP në Gjykatë; Të bëjë vlerësimin, ekzaminimin dhe krahasimin e ofertave të OE, të cilët janë palë me interes konform nenit 59 të LPP. Por, në asnjë mënyrë nuk ka pasur të drejtë të shpall prapë fitues OE, i cili me vendime të OSHP ka rezultuar i papërgjegjshëm për këtë aktivitet të prokurimit.

Këto vendime, OSHP është bazuar edhe në opinionet e KRPP-së në lidhje me autorizimet për nënshkrim të dokumenteve të tenderit, ku KRPP ka lëshuar një opinion më dt. 24.10.2023 tek pyetjet e shpeshta, përkatësisht pyetja me nr. 14.

Po ashtu, OSHP ka obliguar AK të ndërmarrë veprime konform nenit 52.7 të LPP, lidhur me këto nënshkrime të dyshimta dhe AK në vend që të bëjë një kontroll efektiv dhe normalisht që lëndën ta dërgojë tek organet gjegjëse të hetuesisë, AK më dt. 16.01.2025 në ora 14:59 kërkon nga OE i rekomanduar për kontratë që të angazhojë një ekspert të grafologjisë për të vërtetuar këto nënshkrime. Me çrast OE i rekomanduar për kontratë po të njëjtën datë 16.01.2025, gjenë ekspertin teknik të grafologjisë, i cili ekspert në faqen e dytë të këtij akti të ekspertimit thekson se numri referues i ekspertimit dhe datat e marrjes së materialeve është bërë po më datën 16.01.2025. Ky veprim në mes të AK dhe OE të rekomanduar për kontratë i ngjan shumë se ky veprim ka qenë veprim i koordinuar në mes tyre, në të kundërtën është pothuajse e pamundur që thuajse në fund të orarit të punës të kryhen të gjitha këto veprime, të kërkohen sqarime nga OE dhe OE menjëherë të gjejë ekspertin teknik, të dakordohen rreth kërkesës së AK dhe punës të cilën duhet ta kryej ky ekspert dhe të dorëzohet materiali dhe të fillohet puna e hartimit të këtij raporti nga ana e ekspertit të grafologjisë“, thuhetj tutje në raport.

Përveç tjerash, OSHP theksonte se nuk ka qenë kërkesë e vendimeve paraprake të saj të bëhet një raport nga ndonjë ekspert i grafologjisë nga ana e OE të rekomanduar, këtu kemi një devijim komplet nga ajo që është theksuar në vendimet e OSHP. Raporti i grafologjisë, PSH vlerëson se kjo ka qenë dashtë të bëhet shumë më herët nga vetë AK apo nga ndonjë institucion i organeve gjegjëse të hetuesisë, edhe para se lënda të arrijë në OSHP pas kërkesës për rishqyrtim, me çrast AK edhe ka mundur të njoftohet përherë të parë nga ankuesi e jo sikurse në këtë rast kemi të bëjmë me ekspertizë të grafologjisë që është hartuar nga OE i rekomanduar për kontratë, që nënkupton se nuk kanë një ekspertizë institucionale dhe e cila mund të mos jetë objektive.

“Më pastaj ekspertiza është bërë për katër dokumente të cilat i janë ofruar ekspertit nga ana e OE të rekomanduar për kontratë, të cilat dokumente mbajnë datë të mëvonshme se sa hapja e tenderit për të cilin po kontestohen nënshkrimet, e ku nuk dihet se cili nënshkrim është origjinal i Fatbardh Muharremit, sepse ekspertit kanë mundur t’i ofrohen dokumente të cilat janë të nënshkruara për Fatbardh Muharremin nga dikush tjetër në procedurat e mëvonshme të prokurimit. Hapja e tenderit është bërë më dt. 27.02.2024, ndërsa dokumentet që i janë ofruar OE të rekomanduar për kontratë janë dokumente që mbajnë data të mëvonshme se sa 27.02.2024, që nënkupton se nuk është marrë një mostër e nënshkrimit origjinal e Fabardh Muharremi nga e kaluara, prandaj nuk mund të bëhen konstatime objektive të nënshkrimit të këtij personi“, thuhet tutje në raport.

PSH konsideron se për të pasur një ekspertizë profesionale dhe objektive është dashur të ekzaminohet nënshkrimi i Fatbardh Muharremit i vendosur tek dokumentet zyrtare personale që i ka nënshkruar ky person e këtu mund të hyjë nënshkrimi tek letërnjoftimi apo pasaporta dhe të krahasohet më nënshkrimet e paraqitura tek tenderi përkatës. Sipas vendimit nr. 2024/0513, evidentohen të gjitha këto parregullësi me rastin e nënshkrimit të këtij personi, ku në deklaratë për afatin e liferimit nuk vendoset “për”, por edhe dallime në nënshkrime në dokumentet e tjera.

Nënshkrimi është një akt personal dhe vullnetar që tregon se personi ka marrë pjesë aktivisht në procesin e krijimit të dokumentit dhe ka të kuptuar çdo term dhe kushte të tij. Nënshkrimi nuk mund të bëhet pa u menduar mirë ose pa u dhënë pëlqimi, përkundrazi ai është një pasqyrë e qartë e një vendimi të informuar. Ky është një mekanizëm që ndihmon për të siguruar që individët të jenë të vetëdijshëm për veprimet që ata po ndërmarrin dhe pasojat që mund të vijnë nga këto veprime. Edhe në këtë rast emri, mbiemri dhe të dhënat e drejtorit L. M. dhe nënshkrimi i personit tjetër F. M. pa i vendosur fjalën “për”, ky konsiderohet dokument i parregullt dhe kjo kualifikohet si kusht administrativ dhe PSH këtë veprim të OE të rekomanduar për kontratë nuk e sheh si të rastësishme, sepse, në rastet kur lind një konflikt apo mosmarrëveshje, nënshkrimi shërben si provë që një person ka pranuar, miratuar ose angazhuar veten për diçka. Për të ruajtur besueshmërinë dhe legjitimitetin e dokumenteve zyrtare është thelbësore që ato të nënshkruhen nga individët e përfshirë. Pa nënshkrimin e duhur, dokumentet mund të konsiderohen të pavlefshme dhe marrëveshjet që mund të kenë pasuar mund të shkelin ligjet përkatëse. Në përfundim, nënshkrimi i një dokumenti ka shumë rëndësi dhe është një akt që nuk duhet të merret lehtë. Ai ka efektet ligjore dhe shoqërore të cilat i japin asaj një fuqi dhe vlefshmëri të paçmuar. Ky është një mjet i domosdoshëm për të garantuar sigurinë, ligjshmërinë dhe ndershmërinë e marrëdhënieve ndërmjet individëve dhe institucioneve“.

Tenderi milionësh i KEK-ut, hetuesia mund të aktivizohet pas dyshimeve për falsifikim

Si përfundim, duke u bazuar në kompetencat e OSHP të rregulluara sipas nenit 105, lidhur me nenin 106 të LPP, Paneli Shqyrtues vuri në zbatim mes tjerash dhe nenin 103 të Ligjit të cituar sipas të cilit të gjitha palët e interesuara do të kenë qasje të barabartë në procedurat për shqyrtimin e prokurimit dhe në mjetet juridike dhe se, asnjë vendim i OSHP, nuk do të merret ose bëhet në mënyrën me të cilën diskriminohet në të mirë ose në dëm të një pjesëmarrësi në procedurë ose të një personi ose ndërmarrje tjetër. Prandaj nisur nga të lartcekurat Paneli Shqyrtues ka vendosur si në dispozitiv të këtij vendimi i bindur se ka aplikuar zgjidhjen e duhur. Paneli Shqyrtues i OSHP kërkon nga KEK që në procesin e rivlerësimit të aktivitetit të prokurimit të evitohen shkeljet e cituara si më sipër dhe vlerësimi të bëhet konform nenit 59 të LPP.

Pas kërkesës për tërheqje të licencës, Demorkacia.com kishte kontaktuar KRPP-në. Të njëjtit kishin konfirmuar se ishte përshtatur kërkesë.

KRPP-ja konfirmon trajtimin e rastit për licencën e shefit të prokurimit të KEK-ut në tenderin ku është i përfshirë kontraktori i Vetëvendosjes

 

Por qe nga ajo kohë, ky institucion nuk ka nxjerr akoma një vendim.

Kur ligji ‘shkon në pushim veror’, licenca e zyrtarit të KEK-ut mbetet pezull në KRPP jashtë çdo afati ligjor

Kontrata emergjente dhe lidhjet politike të “EX-Fis” me Vetëvendosjen

Demokracia.com ka raportuar disa herë për këtë tender, duke theksuar se KEK-u ka lidhur kontrata me negocim disa herë nga viti i kaluar për furnizim emergjent me mazut, duke rekomanduar për kontratë të njëjtën kompani, “EX-Fis”.

Kompania “EX-Fis” ka lidhje të drejtpërdrejta me Lëvizjen Vetëvendosje. Të dhënat e shpenzimeve të LVV-së për periudhën 2020-2023 dhe 2024, të publikuara në faqen e KQZ-së, tregojnë se partia është furnizuar ekskluzivisht nga kjo kompani për derivatet e automjeteve të saj.

KEK-u favorizon donatorin e VV-së, kontratë 547 mijë euro me negocim për ‘Ex Fis’ për furnizim me mazut

KEK-u akoma nuk ka nxjerr një rezultat final, lidhur më këtë procedurë të prokurimit, pas urdhrit të fundit të OSHP-së që lenden ta kthej në rivlerësim. /Demokracia.com/