Ministria e Infrastrukturës po vazhdon të lidhë kontrata me procedurë negocimi pa publikim, duke shmangur konkurimin e hapur. Kjo praktikë përsëritet edhe pas projekteve të mëparshme, duke ngjallur dyshime për favorizime, shkruan Demokracia.com
Ministria e Infrastrukturës, e udhëhequr nga Hysen Durmishi, ka lidhur sërish kontratë me procedurë negocimi pa publikim të njoftimit për kontratë, kësaj radhe për projektin që lidhet me ndërtimin e dy urave në Mitrovicë,
Projekti përfshin asfaltimin e një pjese të rrugës në atë zonë dhe zyrtarisht mban emrin “Ndërtimi i rrugës që lidh Urën e re me rrugën kryesore në Mitrovicë Veri–Jug”. Kontrata do të lidhet me kompaninë EUROKOS HOLDING SH.P.K., ndërsa vlera e saj kap shifrën prej 479,999.86 euro.
Sipas përshkrimit të njoftimit, punimet për ndërtimin e rrugës që lidh urën me rrugën kryesore në Mitrovicën veri–jug do të realizohen sipas projektit të porositur dhe të pranuar nga Komuna e Mitrovicës Veriore. Projekti është hartuar nga kompania “Smart Line” nga Prishtina. Në dokumentacion theksohet se cilësia e punimeve dhe materialeve duhet të përmbushë standardet europiane (EUROCOD), AASHTO dhe CNR, ndërsa testimet e betonit e materialeve tjera janë të detyrueshme. Menaxheri i projektit, i caktuar nga punëdhënësi, do të ketë detyrën të mbikëqyrë dhe të pranojë punimet e realizuara.
Por, ajo që ngre dyshime është fakti se edhe kjo kontratë, ashtu si kontrata e mëparshme për ndërtimin e dy urave, një për këmbësorë dhe një për automjete është lidhur me të njëjtën kompani, Eurokos Holding. Vlera e asaj kontrate kishte qenë 2,999,628.18 euro, dhe njëra prej urave tashmë ka përfunduar.
Ndryshe nga projekti i dy urave, ku disa kompani morën ofertën thjesht për ‘sy e faqe’, këtë herë Ministria ka zhvilluar negociatat vetëm me Eurokos Holding.
Kujtojmë se Prokuroria e Shtetit kishte bërë të ditur më herët se ndër kontratat që po hetohen lidhur me procedurat e negocimit, përfshihen edhe këto dy ura në Mitrovicë. Pavarësisht kësaj, Ministria e Infrastrukturës vazhdon të lidhë kontrata të reja me të njëjtën kompani, duke ushqyer kështu dilemat për transparencën dhe konkurrencën reale në këto projekte publike. /Demokracia.com/
Hetimi për dy urat e Mitrovicës: “Daja i Vetëvendosjes” bëri projektin e njërës urë
Kompania e shokut të Hysen Durmishit shihet duke punuar tek urat në veri