Pas telefonatës me Putinin, Trump thotë se ka biseduar edhe me Zelenskyn e Ukrainës

Presidenti amerikan Donald Trump ka treguar në rrjetet sociale se ka pasur një bisedë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Ai tha se biseda shkoi “shumë mirë” dhe se “ai, ashtu si presidenti (Vladimir) Putin, dëshiron të bëjë paqe”, përcjell Telegrafi.

Ai konfirmon se bisedimet e mëtejshme me udhëheqësit ukrainas do të mbahen gjatë Konferencës së Sigurisë së Mynihut këtë të premte, e cila do të udhëhiqet nga ana e SHBA-së nga zëvendëspresidenti JD Vance dhe sekretari i shtetit Marco Rubio.

“Sapo fola me presidentin Volodymyr Zelensky të Ukrainës. Biseda shkoi shumë mirë. Ai, ashtu si presidenti Putin, dëshiron të bëjë PAQE”, ka shkruar Trump.

“Diskutuam një sërë temash që kanë të bëjnë me Luftën, por më së shumti takimin që po mbahet të premten në Mynih, ku Delegacionin do ta drejtojnë zëvendëspresidenti JD Vance dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio. Shpresoj se rezultatet e atij takimi do të jenë pozitive”, ka thënë më tej Trump.

Sipas tij, “është koha për të ndalur këtë luftën, ku ka patur VDEKJE dhe SHKATËRRIM masiv dhe krejtësisht të panevojshëm. Zoti e bekoftë popullin e Rusisë dhe Ukrainës”.

Lajmi vjen presidenti amerikan tregoi se ka zhvilluar një telefonatë me presidentin rus Vladimir Putin të mërkurën në mëngjes.

Telefonata, është biseda e parë e njohur midis presidentëve që kur Trump mori detyrën muajin e kaluar.

Zyrtarët e administratës Trump thanë se shpresonin se biseda mund të paraqesë përpjekje të reja për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, i cili do të hyjë në vitin e tij të katërt.

“Ne ramë dakord të punonim së bashku, shumë ngushtë, duke përfshirë vizitën e kombeve të njëri-tjetrit. Ne kemi rënë gjithashtu dakord që ekipet tona përkatëse të fillojnë menjëherë negociatat dhe do të fillojmë duke telefonuar presidentin Zelensky, të Ukrainës, për ta informuar atë për bisedën, diçka që unë do ta bëj tani”, shkroi më herët Trump.

Ndryshe, njoftimi për bisedën ndërmjet tyre ka ardhur në ditën kur Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth ka folur pas takimit të tij të parë me anëtarët e NATO-s.

Zyrtari amerikan ka deklaruar se duhet bërë çdo gjë që të ndalet gjakderdhja në Ukrainë.