Pas vizitës historike të parë të një presidenti sirian në Shtëpinë e Bardhë, Ahmed al‑Sharaa, ish‑luftëtar në Siri dhe Irak, dha një intervistë ekskluzive për The Washington Post, në të cilën foli për rivendosjen e marrëdhënieve midis Damaskut dhe Uashingtonit, bisedimet me Izraelin, sanksionet amerikane, zhdukjen e gazetarit Austin Tice dhe rrugëtimin e tij nga rebelimi deri te kreu i shtetit.
Sharaa, i cili foli me ndihmën e një përkthyesi, theksoi se qëllimi i tij kryesor ishte të hapte një kapitull të ri në marrëdhëniet midis dy vendeve, të cilat, sipas tij, “që njëqind vjet janë në anë të kundërta të historisë”.
“Qëllimi më i rëndësishëm këtë herë ishte ndërtimi i marrëdhënieve midis Sirisë dhe Shteteve të Bashkuara, sepse gjatë 100 viteve të fundit ato nuk kanë qenë të mira. Kërkuam interesa të përbashkëta dhe i gjetëm, nga siguria te ekonomia. Stabiliteti i Sirisë ndikon në të gjithë rajonin, po ashtu edhe paqëndrueshmëria e saj”, tha Sharaa.
Duke folur për sanksionet amerikane, ai theksoi se zhvillimi ekonomik dhe stabiliteti lidhen drejtpërdrejt me heqjen e tyre. “Për këto çështje po bisedojmë prej muajsh dhe kemi arritur rezultate të mira, por presim vendimin përfundimtar”, tha ai.
Kur u pyet për fatin e gazetarit amerikan Austin Tice, i cili është zhdukur në Siri, Sharaa tha se “gjatë luftës që regjimi i mëparshëm zhvilloi kundër popullit të vetë u zhdukën qindra mijëra njerëz, përfshirë të huajt”.
– YouTube www.youtube.com
“Formuam një komision për personat e zhdukur dhe u fokusuam tek rastet e atyre që kanë shtetësi amerikane. Koordinojmë me autoritetet amerikane dhe kam biseduar me nënën e Austinit, një grua e mrekullueshme. Nëna ime e takoi atë sepse edhe ajo ka kaluar dhimbje të ngjashme; unë kam qenë i zhdukur për shtatë vjet dhe të gjithë mendonin se isha i vdekur, përveç saj”, tha presidenti sirian.
Duke iu përgjigjur pyetjes për të kaluarën ushtarake, Sharaa tha se “lufta nuk është turp nëse ka një qëllim fisnik”.
“Kam mbrojtur popullin tim nga padrejtësia. Kam bërë beteja të shumta, por kurrë nuk kam vrarë të pafajshmit. Politikat perëndimore kanë shkaktuar shumë luftëra të kota në rajonin tonë, dhe sot shumë amerikanë nuk e kuptojnë pasojën e tyre,” shtoi ai.
Përsa i përket marrëdhënieve me Izraelin, Sharaa zbuloi se bisedimet janë në progres dhe se “kanë shkuar larg”. Ai shtoi se “në bisedimet e drejtpërdrejta me Izraelin kemi shkuar larg, por marrëveshja përfundimtare kërkon që Izraeli të tërhiqet në kufijtë e mëparshëm deri më 8 dhjetor. Shtetet e Bashkuara janë me ne në ato bisedime dhe presidenti Donald Trump mbështet qëndrimin tonë dhe dëshiron të përshpejtojë arritjen e zgjidhjes”.
Ai paralajmëroi se Izraeli nuk mund të justifikojë pafundësisht zgjerimin e “zonave të sigurisë”.
“Zaptuan Lartësitë e Golanit për t’u ‘mbrojtur’, tani vendosin kushte për Jugun e Sirisë që ‘të mbrojnë Golanin’. Nëse vazhdojnë kështu, një ditë, figurativisht, do të arrijnë deri në Mynih”, deklaroi ai.
Ndryshe, al-Sharaa dikur ishte njeriu më i kërkuar nga SHBA-ja dhe për kokën e tij, amerikanët kishin ndarë miliona dollarë.










