Pas su*lmit te*rrorist, projekti 13 milionësh për rehabilitimin e kanalit Ibër Lepenc drejt përfundimit – Rizvanolli publikon pamjet

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se projekti për rehabilitimin e kanalit Ibër Lepenc, në vlerë prej 13 milionë euro, është drejt finalizimit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, të shoqëruar me fotografi nga terreni, Rizvanolli tha se punimet tashmë kanë arritur realizim prej rreth 90% dhe pritet të përfundojnë gjatë muajve në vijim, përcjell KosovaPost.

Ajo kujtoi se ky projekt ishte trashëguar me një kontratë të dështuar, e cila për vite të tëra kishte arritur vetëm 10% zbatim. Por pas ndërprerjes dhe rishpalljes së saj, në dy vitet e fundit është bërë progres i madh.

Kanali me gjatësi 49 kilometra ka rëndësi jetike për vendin, pasi shërben për furnizim me energji, ujë të pijshëm dhe ujitje për bujqësi. Në fokus të rehabilitimit janë 10 kilometra të pjesës së hapur të kanalit – atje ku kishte më shumë nevojë për ndërhyrje – me mbështetje nga Banka Botërore dhe Qeveria e Kosovës.

Përmes këtij projekti po realizohen:

Riparimi i akuadukteve me gjatësi prej 2,586 metrash

Ndërtimi i rezervuarit bufer me kapacitet 30,000 m³

Rindërtimi i kanaleve trapezoidale dhe drejtkëndore

Kutitë shpërndarëse të ujit

Rrjetat mbrojtëse, muret mbajtëse dhe sistemet e mbrojtjes mjedisore

Sipas Rizvanollit, këto investime do të rrisin sigurinë ujore të vendit, do të përmirësojnë funksionalitetin afatgjatë të kanalit dhe do të ulin humbjet e ujit.

“Ky kanal nuk është vetëm infrastrukturë, por garanci për jetë, zhvillim dhe siguri,” theksoi ministrja, duke shtuar se institucionet do të vazhdojnë ta mbrojnë këtë pasuri strategjike kombëtare.

Në fund, ajo falënderoi ekipin e Ibër Lepencit, bordin dhe menaxhmentin për angazhimin në rehabilitim si dhe reagimin e shpejtë pas dëmtimeve të shkaktuara nga sulmi terrorist i 29 nëntorit 2024.

The post Pas su*lmit te*rrorist, projekti 13 milionësh për rehabilitimin e kanalit Ibër Lepenc drejt përfundimit – Rizvanolli publikon pamjet appeared first on Kosovapost.net.