Qytetarët në Kosovë po përballen me rritje të vazhdueshme të çmimeve, që nga produktet bazike deri te shërbimet e ndryshme. Së fundmi, pas shtrenjtimit të energjisë elektrike për 16.1 për qind, është paralajmëruar edhe rritje e çmimeve për bukën dhe kafen.
Përballë kësaj situate, qytetarët po shprehin shqetësimin e tyre, duke thënë se nuk mund të përballojnë më shtrenjtimit e njëpasnjëshme. Ata kërkojnë nga institucionet që të ndërmarrin masa për të mbrojtur konsumatorët.
Për situatën e krijuar, Telegrafi ka kontaktuar me Autoritetin e Konkurrencës së Kosovës. Nga ky institucion kanë deklaruar se ata mund të ndërhyjnë vetëm në rastet kur dyshohet se çmimet janë përcaktuar përmes marrëveshjeve të fshehta mes operatorëve ekonomikë.
“Fillimisht, dëshirojmë të sqarojmë se Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës nuk ka kompetenca për të përcaktuar apo ulur çmime, pasi në një ekonomi të tregut të lirë, çmimet përcaktohen individualisht nga ndërmarrjet, në bazë të kushteve të tregut dhe kostove të tyre.
Megjithatë, Autoriteti ndërhyn në rastet kur dyshohet se çmimet janë përcaktuar përmes marrëveshjeve të fshehta apo bashkërendimeve të ndaluara ndërmjet ndërmarrjeve konkurrente, në kundërshtim me Ligjin Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, konkretisht nenin 5 të tij”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Më tej, ata sqarojnë se janë duke monitoruar vazhdimisht zhvillimet në treg.
“Lidhur me situatën në treg, autoriteti është duke monitoruar në vazhdimësi zhvillimet në treg, përfshirë sektorin e produkteve ushqimore dhe të gastronomisë. Aktualisht jemi në fazën e analizës së rreth 20 produkteve bazike”, vijon më tej përgjigja.
Ndërsa sa i përket çmimeve në sektorin e gastronomisë, ata theksojnë se inspektorët janë vazhdimisht në terren.
“Për sa i përket sektorit të gastronomisë, sidomos rritjes së çmimit të kafesë, inspektorët tanë vazhdimisht janë duke zhvilluar vizita në terren në qytete të ndryshme të Kosovës, duke komunikuar me pronarë të kafiterive dhe përfaqësues të sektorit për të identifikuar: arsyet e ngritjes së çmimit; dhe nëse ka ndodhur ndonjë koordinim apo dakordim i ndaluar për rritje të njëanshme të çmimeve.
Pasi të përfundojë faza e analizës së tregut dhe mbledhjes së informatave dhe nëse identifikohen indicie për shkelje të ligjit, Autoriteti do të ndërmarrë të gjitha veprimet e parapara me legjislacionin në fuqi”, ka pohuar Autoriteti i Konkurrencës.
Së fundmi, në rrjetet sociale kanë qarkulluar disa fotografi, ku thuhet se çmimi i një macchiato është bërë 2 euro.