Pas reagimeve nga SHBA dhe BE, Kurti me mesazh për serbët në gjuhën e tyre: Dua të bashkëpunoj me ju

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, me një mesazh në gjuhën serbe iu ka drejtuar komunitetit serb në Kosovë.

Kurti është kritikuar nga SHBA-ja, Bashkimi Evropian për veprime të shpeshta jokoordinuese që sipas bashkësisë ndërkombëtare afektojnë komunitetin serb.

Në mesazhin e Kurtit që e publikoi faqja e Qeverisë së Kosovës, Kurti shpreh bashkëpunim me komunitetin serb.

Kurti ka thënë ndër tjerash se “unë jam kryeministër i të gjithëve. Nuk jam kundër asnjë komuniteti etnik”, për këtë thotë se nuk mund të pranojë që një parti politike të marrë monopolin e përfaqësimit të serbëve të Kosovës.

Mesazhi plotë i Kurtit:

Të dashur bashkëqytetarë,

Shteti ynë me Kushtetutë ua garanton të drejtat adhe lirinë të gjithëve dhe dëshiron bashkëpunimin sa më të mirë për realizimin e tyre. Kosova është republikë demokratike që vitin e ardhshëm do të festojë 18 vjetorin e shpalljes së pavarësisë; gjithashtu, ne jemi edhe shoqëri multietnike ku jetojnë 92% shqiptarë por edhe 8% nga komunitetet joshumicë: serbë, boshnjakë, turq, ashkalinj, romë, egjiptianë dhe të tjerë. Dallimet ndërmjet nesh nuk janë shkak tensionesh por përmbajtje e diversitetit që është pasuri e përbashkët dhe përparësi për zhvillim.

Në Kosovë nuk ekziston jotolerancë ndëretnike siç propagandojnë disa. Përkundrazi, ekziston bashkëpunimi, sidomos në ekonomi dhe në treg. Natyrisht, aty ku ka fitim ka edhe bashkëpunim, por ky bashkëpunim duhet të jetë ligjor dhe i rregullt. Megjithatë, duhet të pranojmë se ekziston një barrierë gjuhësore, pra fakti që gjithnjë e më pak shqiptarë flasin gjuhën serbe dhe anasjelltas.

Qeveria jonë padyshim e ka ngritur në nivel tjetër luftën kundër korrupsionit dhe cilësinë e demokracisë. Këtë e konfirmojnë edhe raportet e organizatave të ndryshme ndërkombëtare. Ka të pakënaqur, por duket se ata që kanë qenë të privilegjuar, kur humbin privilegjet e tyre e përjetojnë këtë si padrejtësi, duke harruar se privilegjet e tyre të deritanishme në fakt ishin padrejtësi dhe shkak i diskriminimit të të tjerëve.

Njëkohësisht, rritja mesatare ekonomike në vendin tonë në katër vitet e fundit është 6%, dhe asnjëherë nuk ka rënë nën 4%. Këtë rritje e kemi shpërndarë në shtresat shoqërore që kishin më së shumti nevojë: nënave dhe fëmijëve përmes shtesave, pensionistëve të cilëve ua kemi rritur pensionin dy herë, studentëve të cilëve u japim më shumë bursa, të rinjve dhe grave që të punësohen sa më mirë e sa më shumë, si dhe prodhuesve dhe bujqve që kanë marrë subvencionet më të mëdha ndonjëherë. Eksporti ynë dhe investimet e huaja janë dyfishuar gjatë këtyre katër viteve të fundit, qarkullimi i bizneseve është rritur për gati 80%, buxheti vjetor shtetëror për 50% ndërsa buxheti për shëndetësi për 60%, sipërfaqja e punuar bujqësore për 50%, shumica e ndërmarrjeve publike tani punojnë me fitim, borxhi publik është ulur në vetëm 17% (më i ulëti në Evropë), ndërsa pagat në administratën publike, përveç se janë rritur katër herë (buxheti i përgjithshëm për 46%), edhe raporti i dallimit ndërmjet pagës më të lartë dhe më të ulët nga 20 me 1 është ulur në 4 me 1.

Falë ministrit Rashiq (Rašić), për vetëm dy vjet e gjysmë, është bërë më shumë se kurrë më parë për komunitetet joshumicë (kryesisht serbë): janë ndërtuar 138 shtëpi të reja, janë rinovuar 12 shtëpi dhe 13 të tjera janë në proces, 364 familje kanë marrë material ndërtimor dhe i njëjti është procesuar edhe për 79 familje të tjera, 516 familje kanë marrë mobilje dhe pajisje elektroshtëpiake, ndërsa 887 familje pako me ushqim dhe produkte higjienike. 2 milionë euro i kemi ndarë për 224 projekte për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, 1.7 milionë euro për 147 projekte për OJQ, gati 1.2 milionë euro për 344 projekte në arsim, kulturë, shëndetësi dhe sport, 415 projekte janë realizuar bashkë me Bashkimin Evropian për bujqësi, prodhim dhe shërbime. Po ashtu kemi realizuar disa projekte infrastrukturore në Obiliq dhe Kamenicë, dhe kemi mundësuar verifikimin e 425 diplomave të universitetit të veriut të Mitrovicës që studentët e saj të kenë qasje në tregun e punës kudo në territorin e Kosovës. Për këto dy vjet e gjysmë nga emërimi i Nenad Rashiq (Rašić), për subvencionimin e qytetarëve nga radhët e komuniteteve joshumicë janë investuar gjithsej mbi 14 milionë euro.

Të nderuar qytetarë,

Unë jam kryeministër i të gjithëve. Nuk jam kundër asnjë komuniteti etnik. Unë u shërbej të gjithë qytetarëve të shtetit tonë të përbashkët. Pikërisht për këtë nuk mund ta pranoj që një parti politike të marrë monopolin e serbëve të Kosovës. Shtyllat e demokracisë janë ligji i shtetit dhe të drejtat e njeriut, por edhe pluralizmi politik. Fatkeqësisht Lista Serbe në Kosovë insiston se vetëm ajo mund ta përcaktojë rëndësinë dhe kuptimin e identitetit serb, se vetëm ata kanë kompetencë të vendosin kush është serb e kush jo, kush është serb i vërtetë e kush i rremë. Identiteti kombëtar në republikë, si përkatësi dhe prejardhje, është krijim socio-historik i modernitetit e jo kali i mesjetës që hipet nga ndonjë individ narcisoid që mendon që është kalorës. Unë e kuptoj dhe e pranoj patriotizmin demokratik, por jo nacionalizmin autoritar. Partitë politike dhe politikanët e tyre askund nuk janë e njëjta gjë me popullin apo shoqërinë.

Më 12 tetor të këtij viti mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë dhe populli do të votojë. Përgatitjet janë në rrjedhë, zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme. Me këto zgjedhje zgjidhen kryetarët dhe asamblistët e të gjitha 38 komunave tona. Në këto zgjedhje nuk votohet për çlirim siç deklaron Lista Serbe. Çlirimi ka ndodhur në muajin qershor 1999 kur u tërhoqën nga territori i Kosovës ushtria, policia dhe forcat e tjera të Serbisë. Më 12 tetor zgjidhen kryetarët dhe përfaqësuesit e ardhshëm të komunave të Republikës së Kosovës. Vetëm kaq. Kush nuk respekton ligjin dhe kushtetutshmërinë e Kosovës ose pengon zbatimin e tyre do të ketë punë me shtetin tonë ligjor. Unë i respektoj dhe do t’i mbroj me të gjitha mjetet të drejtat dhe liritë tuaja, por secili duhet të jetë qytetar i përgjegjshëm.

Unë dua të bashkëpunoj me ju. Është e domosdoshme që së bashku të luftojmë për drejtësi dhe mirëqenie. Ashtu si të gjithë qytetarëve të tjerë të Kosovës edhe juve ju takojnë shërbimet e institucioneve publike, dhe ju meritoni qasje të barabartë në të mirat e përbashkëta. Unë angazhohem për unitet dhe barazi. Sigurisht, dualizmi i sistemit shëndetësor dhe arsimor nuk është i qëndrueshëm. Është i nevojshëm inkorporimi i tyre dhe unifikimi. Këtë nuk dua ta bëj kundër jush apo pa ju. Gjatë mandatit tonë të ardhshëm, bashkë me të gjithë, përfshirë edhe kryetarët e ardhshëm të komunave, do të punojmë për inkorporimin e shëndetësisë dhe arsimit në një sistem të vetëm. Besoj se është e mundur të kemi sistem ligjor e të drejtë dhe që funksionon shumë më mirë. Dhe e dimë sa të domosdoshme janë investimet e mëdha. Brenda një procesi të tillë do t’i bashkojmë idetë, përvojat dhe forcat me partnerët tanë ndërkombëtarë: Bashkimin Evropian dhe përfaqësuesin e tij special për dialog, vendet e Quint-it dhe KFOR-in.

Ndërkohë, ju lus mos t’u besoni britmave luftënxitëse të zyrtarëve të lartë të Beogradit për gjoja sulme apo pogrom që gjoja po përgatit qeveria e Kosovës kundër jush. Beogradi zyrtar zyrtarisht gënjen. Qeveria e Kosovës dhe institucionet e tjera shtetërore do t’ju mbrojnë edhe prej tyre. Paqja dhe siguria juaj janë obligimi ynë.

Ju dëshiroj shëndet dhe mirëqenie. Ju faleminderit për vëmendjen.