Pas publikimit të raportit të KOSTT-it, ZRrE thotë se janë në fazën finale të hetimeve për sektorin e energjisë

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) është në fazën finale të hetimeve për sektorin e energjisë, përkatësisht dyshimet për manipulim të çmimit të energjisë elektrike nga importi nga tregtarët e energjisë.

Në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, nga ZRrE thonë se “raporti i ZRRE-së është ende në fazën e finalizimit, pikërisht për shkak të volumit dhe kompleksitetit të të dhënave që po shqyrtohen”.

“Menjëherë pas përfundimit të këtij procesi, raporti përfundimtar do të bëhet publik”, vlerëson ZRrE.

ZRrE konfirmon se gjatë procesit hetimor ka pranuar një numër të konsiderueshëm të dhënash, informacionesh dhe raportesh nga operatorët dhe palët nën hetim, përfshirë edhe materiale të dorëzuara nga KOSTT me kërkesën e ZRRE-së.

Këtë javë Buletini Ekonomik ka publikuar një raport të përgatitur nga KOSTT, si pjesë e hetimeve të nisura në energjetikë, ku jipen dyshime të forta për manipulim të çmimit të energjisë elektrike nga importi për Kosovën. Ekspertët e KOSTT-it gjetën se me ankande në SEECAO gjatë vitit 2025 bashklëpunuan kompanitë Noa Energy Trade dhe kompania në pronësi të shtetit serb – Elektropriveda Srbije. Dyshohet se të dyja bashkëpunuan dhe e manipuluan sistemin në SEECAO për t’i ngritur kostot e bartjes së energjisë elektrike për Kosovën.