Pas protestës ndaj Fitore Pacollit, veterani Agim Pllashniku përjashtohet nga puna – familja e konfirmon largimin

Agim Pllashniku, veteran i luftës së UÇK-së, që pak ditë më parë u bë pjesë e debatit publik pas protestës ndaj deputetes së VV-së, Fitore Pacolli, është përjashtuar nga puna.

Lajmin e ka konfirmuar vajza e tij, Sonila Pllashniku, e cila ka bërë të ditur se tashmë kanë angazhuar edhe avokat për këtë rast.

“Është përjashtu nga vendi i punës, për procedura është angazhu një avokat”, ka thënë ajo.

Pllashniku kishte protestuar para deputetes Pacolli, duke e quajtur “hajneshë”, pasi familjarët e saj kishin përfituar mijëra euro subvencione nga shteti. Pas kësaj proteste, ai ishte shoqëruar në polici, çka shkaktoi reagime të shumta në publik dhe media.

Tash, pak ditë pas ngjarjes, ai është përjashtuar nga vendi i punës në “Ibër Lepenc”, duke ngritur dyshime për presion institucional ndaj qytetarëve që shprehin pakënaqësinë ndaj zyrtarëve publikë.