Pas përjashtimit nga garat evropiane, vjen deklarata e KF Skënderbeu

DEKLARATË PËR SHTYP
Sot, më datë 29 Mars 2018, Komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s shpalli vendimin për përjashtimin e KF Skënderbeut nga kompeticionet europiane për një periudhë 10 vjeçare dhe caktimin e një mase disiplinore financiare në vlerën 1 milion euro. Siç ishte paralajmëruar nga ana jonë më datë 21 Mars 2018, vendimi i organit juridik të UEFA-s pritej të ishte i tillë, pasi vetë procedimi në këtë institucion paraqet të meta serioze në lidhje me parimin e pavarësisë institucionale dhe garantimin e të drejtave proçedurale të palëve.
Përpara këtij vendimi, e vetmja mënyrë për KF Skënderbeun për të mbrojtur punën shembullore të klubit dhe krenarinë e komunitetit sportiv korçar e kombëtar mbetet apelimi në CAS dhe në Gjykatën e Lartë Federale Zvicerane. Është e qartë për të gjithë shqiptarët se drejtësia sportive e UEFA-s është tërësisht në funksion të interesave striktërisht private të këtij institucioni dhe të partnerëve të tij.
Krenarë për sukseset historike, të cilat janë produkt i meritave, mundit dhe sakrificave tona, KF Skënderbeu mbetet besimplotë se drejtësia e pavarur sportive ose civile do të konfirmojë pafajësinë tonë dhe do të rrëzojë vendimin absurd të Komisionit të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës të UEFA-s. Çmojmë se e vetmja arritje e UEFA-s përmes këtij proçesi është vrasja e kredibilitetit dhe integritetit të këtij institucioni në komunitetin sportiv ndërkombëtar.
Zyra për shtyp!
KF Skënderbeu