Pas pak takimi i Osmanit me liderët partiakë, çfarë pritet të ndodhë?

Pas pak pritet të nisë takimi i presidentes Vjosa Osmani me liderët partiakë, i cili zhvillohet gati një javë pasi Kuvendi s’e votoi Qeverinë Kurti III.

Osmani pritej t’i ftonte liderët për takim konsultativ, pasi i mandatuari i parë nga ajo, Albin Kurti i partisë fituese Lëvizja Vetëvendosje, dështoi t’i fitonte votat e mjaftueshme në Kuvend të dielën për ta zgjedhur qeverinë e re.

Ajo duhet ta caktojë një mandatar tjetër për formimin e qeverisë brenda 10 ditësh nga dështimi i mandatarit të parë, sipas Kushtetutës.

Megjithatë, nuk është e qartë nëse do të caktohet një mandatar i ri, për shkak të mungesës së vullnetit nga partitë për të arritur ndonjë koalicion qeverisës.

Lideri i partisë së dytë më të votuar, Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, të dielën e hodhi poshtë mundësinë që të bëhet mandatar i radhës, në rast se presidentja do ta pyeste nëse e ka shumicën.

Pak ditë pasi nuk e mori mbështetjen e Kuvendit për një mandat të tretë, Kurti – i cili është kryeministër në detyrë – paralajmëroi zgjedhje të reja në dhjetor.