Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, do të mbajë sot konferencë për media, me fillim nga ora 15:00.
Konferenca do të mbahet në orën 15:00 dhe vjen pas aktakuzës që ngriti Prokuroria Speciale kundër saj dhe tre të tjerëve lidhur me skandalin e rezervës shtetërore.
“Ministrja në detyrë e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj.Rozeta Hajdari, sot me datën 14 nëntor në ora 15:00, do të mbajë konferencë për media”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë të hënën ndaj Ministres Rozeta Hajdari, Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit, lidhur me skandalin e rezervës shtetërore. Tre të parët akuzohen për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa Muharremi për veprën “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimi të dëmit ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës. “Si rezultat i veprimeve të të pandehurëve, i është shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 2,912,134.78 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ata akuzohen gjithashtu se, pa autorizim, kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare. Hajdari bashkë me dy zyrtarët akuzohet se ka zbuluar sekrete shtetërore tek biznesmeni Muharremi, ashtu që i kanë treguar vendndodhjen e rezervës.
“Edhe pse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit R.M. Ndërkaq, i pandehuri R.M. akuzohet se u ka krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore”, thuhet në njoftim.
Lajmin për ngritjen e aktakuzës e dha vetë Hajdari.
“Sapo u njoftova nga avokati im, për dorëzimin e aktakuzës nga Prokuroria Speciale në Gjykatën Themelore në Prishtinë, lidhur me çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore, proces ky tepër i rëndësishëm për të gjithë ne. Sapo ta kem pranuar të plotë dokumentin e aktakuzës do të deklarohem më gjerësisht për media”, ka shkruar Hajdari.
Ajo ka thënë se ndihet krenare për punën në ministri.
“Unë ndihem krenare për punën që kam bërë si ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kohën më të vështirë – sigurimin e rezervës shtetërore të mallrave, me produktet esenciale për jetesë, në kohën kur ishim të pambrojtur, gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.”
Në gusht të vitit 2023, ish-zëvendëssekretari i MINT, Irfan Lipovica, si dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, u arrestuan për këtë rast. Policia arrestoi edhe afaristin Ridvan Muharremin.
Bastisjet dhe arrestimet u bënë pas publikimit të disa audio-incizimeve, në të cilat pretendohej se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk kishte arritur kurrë. Ngjashëm, as rezervat e grurit.
Hajdari tha në atë kohë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha më shumë detaje, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.
Ajo kishte akuzuar policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.
Kryeministri Albin Kurti i doli në mbrojtje Hajdarit atë kohë, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”.
“Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj”, kishte deklaruar Kurti.
Lidhur me këtë rast është ftuar për intervistim edhe vetë Kurti, mirëpo ai ka refuzuar të shkojë në Prokurori, duke kërkuar që të intervistohet në Kryeministri.
Qeveria e Kosovës pranoi ftesën e parë të Prokurorisë Speciale për intervistim të Kurtit më 12 dhjetor të vitit të kaluar. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu e kishte cilësuar këtë si tentim ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve nacionale 2025, të cilat u mbajtën më 9 shkurt











