Pas Luis Diaz, Bayern do të bëjë një tjetër goditje në PL. 60 milionë euro për yllin e Chelsea-s

Pasi transferoi Luis Diaz për 70 milionë euro nga Liverpool, Bayern duket se do të bëjë një tjetër goditje të bujshme po në Premier League. “L’Equipe” raporton se klubi bavarez po punon për transferimin e Christopher Nkunku nga Chelsea. Francezi ka përfunduar jashtë planeve të Enzo Maresca-s për sezonin e ri, ndaj po kërkon një ekip tjetër.

Nkunku mbërriti te Chelsea me pritshmëri të larta pasi shkëlqeu në Bundesligë me Leipzig, por dëmtimet dhe mungesa e vazhdimësisë e kanë penguar atë të tregojë nivelin që pritej prej tij. Kujtojmë se Chelsea pagoi 80 milionë euro për kartonin e francezit te Leipzig, janarin e vitit 2023.

Në anën tjetër, Bayern e sheh Nkunku si zëvendësuesin ideal të Kinglsey Coman, i cili pritet të transferohet përfundimisht në Arabinë Saudite, për një shifër mes 30-40 milionë euro. Në këtë situatë, profili i Nkunku-s përputhet në mënyrë të përkryer me atë që kërkon Vincent Kompany: shpejtësi, aftësi dribluese, mbi të gjitha, shkathtësi për të luajtur në pozicione të ndryshme sulmuese. Francezi mund të luajë si anësor, mesfushor sulmues apo edhe sulmues i mirëfilltë, duke i dhënë vlerë të shtuar një skuadre që synon të mbrojë titullin kampion në Bundesligë dhe të synojë suksesin në Europë.

Pavarësisht se Nkunku nuk bën pjesë në planet e Maresca-s, Chelsea e vlerëson atë rreth 60 milionë euro. Marrëveshja mes dy klubeve mund të arrihet për këtë shifër, ose një të përafërt me të.

The post Pas Luis Diaz, Bayern do të bëjë një tjetër goditje në PL. 60 milionë euro për yllin e Chelsea-s appeared first on Telesport.