Pas lajmit se Ramiz Lladrovci ka themeluar partinë e tij të re, ka ardhur një reagim i fortë dhe simbolik nga ish-komandanti dhe një nga figurat qendrore të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rrustem Mustafa – Remi, përcjell KosovaPost.
Në një postim të publikuar në Facebook, Mustafa ka përshëndetur veprimin e Lladrovcit duke e quajtur një hap dinjitoz dhe të ndershëm, në kohën kur, sipas tij, PDK po udhëhiqet nga njerëz që nuk e kanë përjetuar thelbin e kësaj partie.
Postimi i plotë:
Urime Ramiz Lladrovci!
Asistentët e udhëheqësve, sot po udhëheqin keq me PDK-në.
Ke ditur të përmbahesh me dinjitet dhe ndershmëri kur shumë të tjerë janë nxituar në veprime që kanë lënduar më shumë se ndihmuar. Por e kuptoj – një njeri që e njeh dhe e do PDK-në nuk mund të heshtë pafund.
Fatkeqësisht, në PDK sot po shihet një qasje e rrezikshme: promovimi i servilëve dhe të paaftëve që ofrojnë bindje pa kurriz, në vend të atyre që kanë punuar me përkushtim dhe kanë sjellë vlera të vërteta në parti.
Shumë nga ata që sot po sillen si udhëheqës, deri dje ishin mbajtës qantash e ndihmës në hije, dhe tani mendojnë se kanë ardhur “kohët e tyre” – në një kohë kur shefat e vërtetë po mbahen padrejtësisht në Hagë.
PDK nuk ka nevojë për lojëra të vogla në kurriz të idealistëve. Ajo do të kthehet, do të forcohet, por jo përmes interesave të ngushta të grupeve që mendojnë për pushtet pa përgjegjësi.
PDK është shumë më tepër se një strehë për biznes apo për karrierë personale. Ajo është një projekt politik i nisur me mund, punë dhe sakrificë. Dhe këtë duhet ta mbajmë gjallë – me njerëz që kanë integritet, jo me ata që pëshpëritin prapa kurrizit dhe zaptojnë gjithçka që prekin.
Rrustem Mustafa,
Votues në PDK.
The post Pas largimit të Lladrovcit, Rrustem Mustafa flet me tone të ashpra ndaj PDK-së appeared first on Kosovapost.net.