Pas kunatave dhe balldëskave, Alban Hyseni punëson bashkëshortet e militantëve të LVV-së

Në fushatën e vitit 2021, kryetari aktual i Gjilanit, Alban Hyseni, vazhdimisht ka premtuar se punësimi në Gjilan do të bëhet në bazë të meritokracisë dhe jo mbi baza familjare dhe partiake.

Ky premtim mbeti vetëm premtim elektoral. Në praktikë, Komuna e Gjilanit u bë çerdhe e punësimeve të militantëve të LVV-së dhe familjarëve të zyrtarëve të LVV-së.

Më herët u punësuan kunatat dhe balldëskat e kryetarit Alban Hyseni dhe zyrtarëve tjerë të LVV-së, ndërsa tani janë punësuar përsëri bashkëshortet e militantëve të LVV-së.

Me datë 31 janar 2025, në Shkollën e Mesme të Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Sahit Baftiu ” në Gjilan është punësuar si mësimdhënëse për lëndët ekonomike, Liridona Hasani Kërçeli, bashkëshortja e aktivistit dhe militantit të LVV-së, Arianit Kërçeli.

Arianit Kërçeli vazhdimisht e ka mbrojtur kryeministrin Kurti dhe ka sulmuar oponentët e tij politikë. Duket se interesi personal ishte qëllimi i tij final pas mbrojtjes së LVV-së. Zhurma e tij e vazhdueshme u shpërblye nga Alban Hyseni në Gjilan.

Po ashtu, në konkursin e fundit, asistenti i deputetit të LVV-së, Luan Aliut, ka punësuar bashkëshorten e tij si mësimdhënëse në fshatin e Bresalcit.

Njomza Buca është punësuar si mësimdhënëse në shkollën fillore “Ibrahim Uruqi”, në Bresalc.

Deputeti Luan Aliu njihet për angazhimin e vazhdueshëm në punësimin e familjarëve të tij dhe militantëve të LVV-së. /Demokracia.com/